Fëmijët që kërkonin azil në Mbretërinë e Bashkuar u kërcënuan dhe iu nënshtruan abuzimeve raciste nga stafi në një hotel të drejtuar nga Home Office.
Kështu shkruan gazetari i “The Guardian”, Mark Townsend, duke cituar një burim që punonte në hotelin “Brighton”.
Burimi deklaroi se në një mjedis të tillë “abuzimi emocional”, dhjetëra fëmijë, të cilët kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pa prindër apo kujdestar, u dëbuan në rrugë dhe në duart e kriminelëve.
Një tjetër denoncues ka dalë tani, duke pretenduar se disa fëmijë në hotelin Brighton u kërcënuan gjithashtu se kërkesat e tyre për azil do të dëmtoheshin nëse ata “silleshin keq”, ndërsa të tjerët ndëshkoheshin duke u mbajtur – ilegalisht – në hotel për ditë të tëra.
Pretendimet për kërcënime të dhunshme ndaj të rinjve – shumë prej të cilëve u larguan nga persekutimi në vendet e tyre të origjinës dhe janë thellësisht të traumatizuar – do të shtojnë presionin në rritje ndaj kryeministrit britanik Rishi Sunak.
Kjo, për të ndërhyrë dhe për të ndaluar përdorimin “e paligjshëm” të hoteleve nga Home Office për fëmijët e pashoqëruar.
Informatori, duke folur pasi akuzoi zyrtarët e Home Office për injorimin e shqetësimeve të tij, i tha Observer: “Dëgjova stafin që kërcënonte se do t’i hidhte fëmijët nga dritarja dhe bënte shaka për zhdukjen e tyre”.
Ai shtoi se kur u raportuan raste të sjelljes së papërshtatshme të stafit, asnjë veprim i dukshëm nuk u ndërmor nga hoteli, një nga shtatë të drejtuara nga Home Office për t’u kujdesur për fëmijët e vetmuar që kërkonin azil.
“Kishte shumë gjëra ksenofobike, si: ‘Kthehu në vendin tënd’”.
Dikush dëgjoi një epror të stafit duke e quajtur një fëmijë një ‘terrorist i ndyrë’.
Informatori shtoi se stafi rregullisht fliste për fëmijët që rrëmbeheshin nga rrugët aty pranë dhe se shënjestrimi i të rinjve ishte i njohur.
Ndërtimi i ngjarjes
Të gjithë kërkojnë llogari nga Qeveria britanike për zhdukjen e 200 fëmijëve azilkërkues nga hotelet e ofruara nga zyrtarët, ku konkretisht mbi 88 për qind ishin djem shqiptarë.
Por, kjo nuk mjafton që të kemi një reagim nga Tirana zyrtare.
Albanian Post fillimisht i shkroi ambasadës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, për të marrë ndonjë informacion nëse autoritetet ishin në dijeni apo të paktën kishin kërkuar llogari nga ato britanike.
As fjalia e preferuar e ambasadorit, Qirjako Qirko, se “ne nuk e kemi këtë informacion” – referuar fjalimit të tij në Parlamentin britanik – nuk u dha.
“Për çdo informacion lidhur me artikullin të cilit i referoheni, lutemi kontaktoni me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, ishte përgjigjja zyrtare e ambasadës, kur pyetej për konfirmimin e artikullit të “The Guardian”.
Kjo, para se shifra të pranohej nga vetë zyrtarët.
As Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk kishte një përgjigje.
Albanian Post kontaktoi me të dy herë, dhe përgjigjja e saj për pyetjen nëse ishte vënë në dijeni të këtij fakti, ishte heshtja.
Duket se institucioni i diplomacisë ka prioritete të tjera – meqë përgjigje nuk kemi – kemi të drejtën e supozimit.
Ndryshe nga zyrtarët shqiptarë në Britani po kërkohet llogari.
Laburistët – edhe pse mund të cilësohen si akuza për interesa politike – i thanë ministrit të Emigracionit se po “shpërdoronte detyrën”.
“Ka një rrjet kriminal të përfshirë në largimin e fëmijëve nga strehimi i tyre dhe se qeveria po dështonte plotësisht t’i ndalonte ata”.
“Ata po i lënë këto banda të vrapojnë”, ishin fjalët e laburistes, Yvette Cooper.
Daniel Sohege, drejtor i një organizate për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Stand for All”, e vuri theksin diku tjetër.
Te retorika e qeverisë britanike, ku shqiptarët shpesh herë janë cilësuar si “pushtuesit” dhe “kriminelë”.
“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka bërë gjë tjetër veçse sulmoi shqiptarët, duke injoruar sesi të rinjtë shqiptarë janë një nga grupet më të rrezikuara të trafikimit të fëmijëve”.
“Retorika, armiqësia dhe indiferenca e saj për sigurinë e tyre kanë bërë që kaq shumë të zhduken dhe të shfrytëzohen”.
Kështu, Sohege i bëri thirrje ministrisë përgjegjëse britanike që të sigurojë mbrojtje për të gjithë fëmijët, ashtu siç e parashikon edhe e drejta ndërkombëtare.
Çështja e fëmijëve të zhdukur u raportua fillimisht nga “The Guardian”, pa përcaktuar se çfarë kombësie ishin.
Gazetari i atij raporti, Mark Townsend, konfirmoi për Albanian Post se gjasat që të ketë fëmijë shqiptarë janë shumë, por shumë .
E ashtu ndodhi, 176 fëmijë shqiptarë u deklaruan të zhdukur.
Ky është numri i fundit që shënohet në historikun e shifrave të Britanisë për emigrantët shqiptarë.
Deri më tani kemi pasur shifra të larta të ardhjes me gomone, të kriminalitetit dhe të përfitimit të azilit.
Sidomos ardhja me gomone në gjirin britanik të shqiptarëve është rritur me mbi 100% krahasuar me vite me parë.
E për këtë arsye shqiptarët janë kthyer në “qendër të vëmendjes”.
Të paktën kështu pati konfirmuar për Albanian Post, Peter Walsh, drejtor i qendrës migratore në Mbretërinë e Bashkuar.
Situata mes dy shteteve – për këtë çështje – u rëndua deri në dërgimin e një “notë proteste” ambasadorit britanik në Tiranë për komentet e bëra nga ministri Jenrick ndaj emigrantëve shqiptarë.
Duket se deklaratat agresive të ministrave britanike nuk tolerohen – edhe pse përfshirja shqiptare në botën e krimit atje është një problem real, i pasqyruar në faqet e para të mediave britanike.
Zhdukja e qindra fëmijëve, krejtësisht.