Qysh tani filluan përgatitjet në Jordani për ta shënuar 100-vjetorin e themelimit të Principatës (11 prill 1921), e cila u shndërrua në Mbretërinë Hashimite të Jordanisë më 1946.
Ky zhvillim historik lidhet me figurën e princit Abdulla Bin Husein, i cili edhe njihet si “Themelues” i principatës jordaneze dhe mbreti i parë i kësaj mbretërie deri në vdekjen e tij në Jerusalem më 1951, si pasojë e atentatit i cili mbeti enigmë deri më tani, shkruan sot “Koha Ditore”.
Princi Abdulla ishte i dyti prej katër djemve të Sherif Huseinit në Meqe, familje kjo që luajti rol të rëndësishëm në formimin e Lindjes së Mesme (ashtu siç është tani) në fillim të shekullit XX. Sherifi Husein ishte princ i Meqës, e cili gëzoi një autonomi qysh nga pushtimi osman i Leventit më 1516.
Për shkak të rëndësisë së saj shpirtërore për botën islame Emiri ose Princi i Meqës, i cili më shumë njihej si Sherif pasi që rrjedh nga familja e profetit Muhamed, gëzonte një autonomi dhe posti i tij i mbeti asaj familjeje sipas një sistemi të caktuar.
Kjo gjendje vazhdoi deri më 1908, përkatësisht deri me ardhjen në pushtet të partisë Ittihat ve Terakki (Bashkim e Përparim), e cila ndiqte një politikë të centralizimit të Perandorisë Osmane qoftë në viset shqiptare ose ato arabe.
Mirëpo, kjo politikë hasi në rezistencë të fortë të Sherif Huseinit, saqë u krijuan tensione dhe revolta në mesin e popullsisë vendase. Pushteti i ri në Stamboll nuk shkoi më tutje në konfrontim me Sherif Huseinin, pasi që tensionet ndërkombëtare nuk ishin të favorshme për pushtetin e ri.
Gjermania, aleate e ardhshme e Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, kishte shfaqur herët interesin për politizimin e Islamit, përkatësisht për lansimin e xhihadit me anë të sulltanit kundër armiqve (Britania e Franca).
Mirëpo, shpallja e xhihadit në nëntor 1914 nuk solli ato rezultate të pritura, sepse Britania arriti me kohë ta neutralizonte Sherifin e Meqës e ta nxiste atë në një kryengritje kundër pushtetit osman duke ia premtuar “një pavarësi arabe” si shpërblim.