Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që kërkon të heqë imunitetin ligjor ndaj rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook për përmbajtjen që ato shpërndajnë.
Urdhri, që Trump e nënshkroi më 28 maj, udhëzon agjencitë ekzekutive të studiojnë nëse mund të vendosin rregullore të reja për kompanitë.
Por, ekspertët shprehin dyshime nëse ndonjë ndryshim i mundshëm do të mund të zbatohej pa një akt të Kongresit.
Trump ka akuzuar rregullisht platformat e mediave sociale për shtypjen ose censurimin e zërave konservatorë.
Ai e ka akuzuar Twitterin për ndërhyrje në zgjedhje, pasi më 27 maj, ky rrjet social, për herë të parë, i etiketoi dy postime të presidentit amerikan, Donald Trump, si “të pabaza” dhe tha se ai po përhap pretendime të rreme.
Postimet e Trumpit “pretendojnë rrejshëm” se votat me postë do të sjellin “zgjedhje të falsifikuara”, tha Twitter.
Nën postimet e tij, kompania ka shkruar me të kaltër: “Sillni fakte për votat me postë”.
“Kontrolluesit e fakteve thonë se nuk ka prova se fletët e votimit me postë lidhen me mashtrim të votuesve”, tha Twitter.
Drejtori i Përgjithshëm i Twitter-it, Jack Dorsey tha më 27 maj se qëllimi i kompanisë nuk është të bëhet “arbitër i së vërtetës”, por do të vazhdojë të verifikojë lajmet e rreme për zgjedhjet në nivel global.
Drejtori i Përgjithshëm i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, i tha Fox News se politika e platformës së tij është e ndryshme nga ajo e Twitter-it.
“Unë thjesht besoj fuqimisht se Facebook nuk duhet të jetë arbitri i së vërtetës për gjithçka që njerëzit thonë në internet”, tha ai.