Ish-përfaqësuesi i presidentit Donald Trump për dialogun dhe ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, është emëruar përfaqësues presidencial për misione të posaçme ndërkombëtare.
“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, pa dhënë më tej sqarime për përgjegjësitë e këtij pozicioni. Grenell ka thënë se për të është nder i madh që i është besuar ky post. Por një burim nga ekipi i transicionit i Trumpit tha për agjencinë Reuters se Grenell do të fokusohet gjithashtu te tensionet në Ballkan.
Njohësit e çështjeve politike shprehin mendime të ndryshme sa i përket nivelit të përfshirjes së tij edhe në dialogun Kosovë- Serbi.
“Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mendoj se nuk është pyetja se a do të përfshihet, por kur do të përfshihet, sepse për shkak të përvojës së tij nga mandati i kaluar mendoj se domosdoshmërisht që do të përfshihet, por orientimisht mendoj që do të jetë pas përfundimit të dy krizave globale: luftës në Gaza dhe asaj në Ukrainë – ku edhe fokusi amerikan do të mund të rikthehej drejt dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, – ka deklaruar Artan Muhaxhiri.
Ndërsa Albinot Maloku ka deklaruar se Grenellin e sheh më të angazhuar në vatrat e luftës.
“Më shumë e shoh të angazhuar në ato pikat e nxehta, në vatra të nxehta të luftës sesa në Ballkan. Gjithsesi se do ta japë kontributin e tij nisur nga përvoja e tij në Ballkan, mirëpo nuk e shoh që do ta ketë angazhimin thelbësor në çështjet e Ballkanit duke i parë të gjitha këto vatra të nxehta lufte që janë duke ndodhur nëpër botë”, ka deklaruar Maloku.
E në rast të përfshirjes së tij të madhe në dialog, ata presin që ai ta reflektojë disponimin e administratës Trump.
“Nuk prezanton ambasadori Grenell kërcënim të pozicionit të Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuar të Amerikës, që është interesi ynë thelbësor, mirëpo do të jetë punonjës me eksperiencën e tij në administratën e re amerikane që angazhimin e tij do ta ketë për detyrë ta kryejë në vatrat e nxehta. Gjithsesi, këshillat e tij për Ballkanin Perëndimor do të jenë të mirëseardhura, politika e presidentit Trump do të jetë ajo me ndryshime gjithsesi – jo krejtësisht siç ka qenë dhe unë nuk e shoh në asnjë mënyrë kërcënim në mes të raporteve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës çfarëdo pozicioni, e lëre më këtë pozicion që republika e Kosovës, për Ballkanin nuk do ta ketë vendin kryesor”, ka theksuar ai, derisa Muhaxhiri u shpreh se administrata Trump “s’i pranojnpërgjigjet negative”.
“Gjithsesi që përfshirja e tij do të jetë në frymën e administratës Trump, pra një administratë e cila nuk i pranon përgjigjet negative, e cila kërkon një bashkëpunim, që mund të ketë shpërblime të mëdha, por edhe dëme të mëdha, pra e cila nuk ka një mes – është një administratë e cila ka një qasje krejtësisht ndryshe nga ajo e kaluara… Përfshirja e Grenellit në dialog do të kërkojë shumë më tepër efikasitet, pra nuk do të lejojë biseda të pafundme, nuk do të lejojë zvarritje të procesit, siç ka ndodhur gjatë administratës Biden, pra do të kërkojë një shpejtësi, një vendimmarrdhje dhe ato palë të cilat do ta pranojnë këtë qasje do të përfitojnë shumë, ndërsa palët të cilat do ta refuzojnë do të përballen me pasoja shumë të mëdha. Pra, nuk do të ketë hapësirë për manovrime tipike siç kanë ndodhur deri me tani”, ka thënë ai.
Qeveria “Kurti” 1 u rrëzua në kohën kur Grenell ishte përfaqësues i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi. E kryeministri Albin Kurti e akuzoi Grenellin se ndikoi tek LDK-ja për të dalë nga koalicioni. Administrata amerikane në kohën e Trumpit synonte arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë kundër së cilës ishte kryeministri Albin Kurti. Në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua Marrëveshja e Washingtonit që e kishte në bosht bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nuk është përmendur shumë pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Izrael