Një turiste 41-vjeçare është gjetur e pajetë në një liqen në Kolumbi, gjashtë ditë pasi ishte raportuar e zhdukur në zonën turistike të Salentos, një destinacion i njohur për udhëtarët me çanta shpine.
Viktima, Marlies Genz, kishte planifikuar të vizitonte një fermë kafeje më 25 maj, por nuk mbërriti kurrë në destinacion. Trupi i saj u gjet më 31 maj duke notuar në një liqen në zonën rurale të Palestinës.
Sipas autoriteteve, në trupin e saj janë konstatuar shenja dhune, ndërsa pista kryesore e hetimit është se ajo mund të ketë qenë viktimë e një sulmi fizik. Dyshimet për vrasje u shtuan edhe pasi telefoni celular dhe kufjet AirPods të turistas u lokalizuan në një servis elektronik në Medellín, mbi 160 kilometra larg vendit ku u gjet trupi.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar lëvizjet e saj të fundit, ndërsa autoritetet kolumbiane kanë ofruar një shpërblim prej 30 milionë pesos kolumbiane për çdo informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Në një deklaratë prekëse, familja e Marlies Genz tha se, pavarësisht dhimbjes së madhe, ndihen të lehtësuar që trupi i saj u gjet dhe se tani mund t’i japin lamtumirën e fundit. Ata e përshkruan 41-vjeçaren si një grua aventuriere, plot jetë dhe me një pasion të madh për udhëtimet në Amerikën Latine.


