I ftuar në emisionin “Arena”, sipërmarrësi Vasil Bedinaj u shpreh se sezoni turistik duhet të kishte filluar tashme, por ai theksoi se operatorët turistikë janë gati të hidhen në treg, pasi situata të hapet.
Bedinaj shtoi se operatoret turistikë janë gati që t’i ulin çmimet e paketave me 50%, por presin edhe reagimin e shtetit si palë në këtë proces.
“Vlora dhe Saranda janë të varur totalisht nga sektori i turizmit. Jemi në prill dhe duhet të ishim në ditët e para të sezonit turistik. Ne si operatorë jemi një hap përpara pasi nuk po ndalojë me shkëmbimin e ofertave dhe me komunikimin e kolegëve jashtë Shqipërisë. Jemi gati që të hidhemi në treg pasi kjo situatë që të hapet, por jo gjithçka varemi ne, pasi pala tjetër është shteti.
Si shoqatë sot i kemi dorëzuar dhe i kemi ofruar ndihmën tonë ministrit Klosi, sepse Italia sot i ka publikuar rregullat se si do të funksionojnë baret, hotelet dhe të gjitha shërbimet e tjera turistike. një pjesë e jona duhet të fokusohemi që të jemi gati kur të hapet situata, që të mos diskutojmë pastaj se cilat do të jenë rregullat dhe lehtësimet. Ne si operatorë po diskutojmë që t’i ulim çmimet e paketave tona deri në 50%, por duam të dimë se çfarë do të bëjë shteti, se ne e dimë që nuk do të kemi fitim ketë vit, duam thjeshtë të mbajmë fuqinë punëtore pasi i kemi trajnuar për vite”, tha Bedinaj.