Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka akuzuar qeverinë se pavarësisht përmbytjeve në vend, ka vijuar punën me tenderat.
Sipas Vasilit, qeveria ka shpërblyer dy kompani në tenderat për mbikalimin Tiranë – Elbasan dhe për rrugën Palasë – Dhërmi me 10 milionë euro.
“Vetëm për dy tenderë për mbikalimin Tiranë – Elbasan dhe për rrugën Palasë – Dhërmi kjo qeveri shpërblen dy kompani duke ua dhënë tenderin pikërisht çmimeve më të larta, përkatësisht nga 5 milion e ca euro më shumë se sa çmimi më i ulët.
Pra shqiptarëve iu grabitën 10 milionë euro në një dorë, në kohë pandemie, kur 10 milionë euro do të thonë miliona doza vaksinë, të cilat s’kanë nevojë t’u lypen lart e poshtë, por mund të paguhen dhe shqiptarët të fillonin vaksinimin.
Dhjetëra kanale ujitëse, hidrovorë mund të bëheshin me milionat e eurove. 10 milion janë vetëm dy tenderë, por tenderë pa fund të tillë, sekret, të drejtpërdrejtë, tenderë që u jepen klientëve të qeverisë, të cilët kanë dhënë emrin borxh e pas të cilit qëndrojnë pronarët e vërtetë të këtyre parave, pronarë politikë dhe mediatikë”, ka thënë nënkryetari i LSI.
Ish-ministri ka thënë se kryeministri Rama vijon me vizitat, ndërkohë që vendi po përballet me problematika ekonomike.
“Është e qartë që Shqipëria është e fundit për Edi Ramën, i cili ndonëse vendi është pllakosur nga përmbytjet, vazhdon i qetë vizitat e tij të turizmit politiko-mediatik jashtë vendit dhe nuk shkruan asnjë fjalë dhe nuk interesohet fare për Shqipërinë që është vetëm pak kilometra me larg.
Një kryeministër i përgjegjshëm do të kishte ndërprerë çdo aktivitet jashtë vendit, do të ishte këtu në krye të punëve, së bashku me ministrat e tij bashi-buzukë, të cilët nuk gjenden gjëkundi e që u janë fshehur qytetarëve duke i lënë në mëshirë të fatit, por që të cilët janë të gjithë vigjilentë për të bërë tenderë pa mbarim e ku vetëm në një ditë 10 milion euro, 12 miliard e ca lekë të vjetra rrëmbehen nga xhepat e shqiptarëve, të cilat mund t’u ishin kthyer në spitale që nuk mbarojnë asnjëherë, mund të ishin kthyer pa asnjë diskutim në mbështetje për biznesin, i cili vuan dhe përfundimisht mund të ishin blerë mijëra e miliona mjete mbrojtëse që më shumë se 30 mjekë që humbën jetën e plot të tjerë të infektuar të mos t’u ndodhte.”