Tre vite pas tragjedisë së nëndetëses Titan, vejusha e një prej viktimave ka folur publikisht për herë të parë mbi humbjen e bashkëshortit dhe djalit të saj, duke e përshkruar implozionin si “më të mirin nga skenarët më të këqij”.
Christine Dawood, bashkëshortja e biznesmenit Shahzada Dawood dhe nëna e Suleman Dawood, tha se beson që implozioni i menjëhershëm i nëndetëses turistike i kurseu pasagjerët nga vuajtje më të gjata.
“Nëse do të kishte qenë ndryshe dhe ata do të kishin mbetur pa oksigjen për orë të tëra, do të kishte qenë shumë më e tmerrshme”, u shpreh ajo në një intervistë të raportuar nga media britanike.
Komentet e saj vijnë gjatë promovimit të librit Ninety-Six Hours, ku ajo rrëfen pritjen dramatike prej 96 orësh në anijen mbështetëse, ndërsa familjarët ende shpresonin për një mrekulli dhe shpëtimin e personave në bord.
Nëndetësja Titan, e operuar nga kompania OceanGate, implodoi në qershor të vitit 2023 gjatë një zhytjeje drejt rrënojave të Titanikut në Oqeanin Atlantik. Të pesë personat në bord humbën jetën, përfshirë CEO-n e kompanisë Stockton Rush.
Hetimet pas tragjedisë zbuluan probleme serioze me standardet e sigurisë dhe procedurat operative, ndërsa ekspertët e konsideruan aksidentin si të parandalueshëm.
Deklarata e Christine Dawood nuk synon të minimizojë tragjedinë, por të shprehë bindjen se, në një situatë pa rrugëdalje, një fund i menjëhershëm ishte më pak i dhimbshëm sesa një pritje e gjatë dhe e frikshme për vdekjen.

