Gjatë luftës së fundit në Kosovë, si strategji e spastrimit etnik, vlerësohet se janë përdhunuar rreth 20 mijë përsona. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 23 vite nga përfundimi i luftës, tema e dhunës seksuale është trajtuar pak dhe jo mirë. Përveç mos kompensimit të viktimave, nuk ka pasur as trajtim gjithëpërfshirës psikologjik e social. Por, mbi të gjitha, mungon drejtësia pasiqë dy dekada pas luftës, vetëm një rast është i gjykuar për krime të dhunës seksuale.
Në raportet vendore e ndërkombëtare theksohej se fenomeni i dhunës seksuale në Kosovë ishte i përhapur shumë.
Në vitin 2018 ka filluar procesi i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Pak aplikime
Edhe pse tashmë kanë kaluar 4 vite, pak viktima kanë aplikuar për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Nga Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale deklaruan për Gazetën Nacionale se deri tani kanë aplikuar gjithsej 1656 persona.
“Numri i aplikuesve deri me tash është 1656. Statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar gjithsej 1149 persona nga ta 1098 femra dhe 51 meshkuj”, thotë Komisioni për Nacionale.
Mos aplikimi për njohjen e statusit të mbijetuarës së dhunës seksuale, sipas sociologëve tregon për organizimin e keq institucional.
Sociologia Teutë Rrusta thotë se rol në ‘fshehjen’ e tragjedive të përdhunimeve seksuale luan edhe frika nga stigmatizimi dhe turpi shoqëror.
“Kjo çështje ka një historik problematik. Mënyra sesi është diskutuar nga deputetët në seancat e Kuvendit për çështjen e zgjidhjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale ka përcaktuar në masë të madhe edhe vijueshmërinë e procesit. Ai ka qenë momenti ideal që të hapet diskutim më i gjërë për normën shoqërore rreth të cilës jemi të organizuar”, ka deklaruar Teutë Rrusta.
Problem sipas saj është edhe mos gatishmëria për ballafaqimin me të kaluarën e cila për burim ka mendësinë patriarkale të shoqërisë.
“Mungesa e gatishmërisë për një diskutim dhe ballafaqimi përtej rendit patriarkal të vlerave, ka prodhuar dy lloj përgjigje, brenda kornizës kulturore tradicionale. Ose është lartësuar, ose është nënvlerësuar viktima, duke kërkuar dëshmi, pra kemi dyshuar mbi rrëfimet. As njëra as tjetra (lertësimi – dyshimi) nuk kanë kanë kapacitetin e njohjes së gjendjes së viktimit. Njohjes dhe pranimit”, vazhdon ajo.
Për psikologët trajtimi i viktimave është jetike
Në anën tjetër, psikologët theksojnë nëvojen për trajtim të vazhdueshëm të pasojave traumatike që lë një ngjarje si dhunimi seksual.
Psikologia Besarta Zogaj flet për efektet psikologjike, emocionale dhe fizike më të cilat përballen viktimat e dhunës seksuale dhe pse e kanë të vështirë ta raportojnë dhunën seksuale.
“Prevalenca e PTSD është jashtëzakonisht e lartë tek ata që janë dhunuar seksualisht gjatë luftës.
Efektet psikologjike më të cilat përballen janë; shmangia e njerëve, fajësimi i vetëvetes, mendime negative për vetën dhe botën, humbin interesim në aktivitet e tyre të preferuara. Pastaj kanë problem edhe fizike si makthe, ndjersitje,dhimbje gjoksi, dhimbje koke, dhimbje stomaku dhe marramendje”, tha Zogaj.
Ndërsa, psikologu Liridon Aliu thotë se në mungesë të marrjes se ndihmës profesionale, ka bërë që viktimat të mbartin brenda vetës pasojat e dhunës seksuale.
“Fatkeqsisht të ne shumë viktima të dhunimit nga lufta e fundit nuk kanë marre ndihmën profesionale dhe disa nga këto viktima me vite te tëra i mbartin brenda vetës pasojat e dhunës seksuale”, deklaron Aliu për Gazetën Nacionale.
Kaltrina Ajeti, sociologe, thekson se trajtimi i viktimave të dhunës seksuale është jëtike për kapërcimin e pasojave.
“Trajtimi i viktimave te dhunës ka rëndësi jetike duke pasur parasysh traumën psikologjike, emocionale dhe fizike që i shkaktohet viktimes,” sqaron Ajeti.
Këtë të hëne, Gazeta Nacionale ka publikuar rrëfimin e doktorit Shukri Gërxhaliu, i cili ka trajtuar dhjetra viktima të dhunës seksuale të keqtrajtuara nga serbët.
Në rrëfimin e tij, Gërxhaliu tregon se ka identifikuar rreth 134 viktima vetëm në Vushtrri e rrethinë.