Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në qytetet e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit po ndodh spastrim i heshtur etnik i shqiptarëve nga shteti i Serbisë.
‘’Rreth 60 kilometra në veri-lindje të Prishtinës, shtrihet komuna e Medvegjës. Kjo komunë, në regjistrimin e vitit 2011 numëronte 7438 banorë. Tani, ndonëse pa statistika zyrtare, supozohet se në Medvegjë janë të regjistruar afërshisht vetëm 600 shqiptarë.’’, thotë Osmani.
‘’Ky reduktim sistematik i popullsisë shqiptare në Medvegjë nuk është i rastësishëm. Privimi nga edukimi e punësimi, cënimi i të drejtave në gjuhë e përfaqësim si dhe shtypja e vazhdueshme e regjimit serb kundrejt shqiptarëve në ato lokalitete ka ndikuar në dyndje të popullësisë shqiptare, për të kërkuar kushte më të mira për familjet e tyre.’’
Osmani tregon se si shteti i Serbisë po i largon shqitarët nga shtëpitë e tyre dhe nuk po i lejon të ankohen për këtë.
‘’Megjithatë, përgjatë viteve të fundit, Medvegja është vënë në shënjestër të politikës serbe, duke tentuar largimin përfundimtar të çdokujt që flet shqip në ato anë. Gjatë vetëm katër viteve të fundit autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civil në komunën e Medvegjës. Përmes ‘pasivizimit të adresave’ të vendbanimit, shteti serb bënë largimin përfundimtar të shqiptarëve nga regjistri civil i Serbisë, duke ua pamundësuar marrjen e dokumenteve të reja, të drejtën e qasjes në shërbime mjekësore ose asistencë sociale e madje edhe largim nga lista e votuesve, që pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje.’’, thotë ajo.
‘’Problemi tjetër në pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Serbi është edhe fakti se për një veprim të tillë shteti serb nuk lëshon fare një vendim me shkrim që dëshmon se ju është pasivizuar adresa. Kjo informatë kumtohet vetëm gojarisht. Ky veprim nuk është i rastësishëm: ai synon t’i parandalojë qytetarët shqiptarë të ndërmarrin veprime ligjore kundër Serbisë për shkelje të të drejtave të tyre dhe diskriminim në baza etnike. Përveç në Medvegjë, pasivizimi i adresave është evidentuar edhe në dy komunat tjera me popullsi shqiptare, Bujanoc e Preshevë. Ky fakt është i njohur, e madje i dokumentuar nga organizata të ndryshme që veprojnë në Serbi dhe jashtë saj.’’, shton Osmani.
Osmani kërkon reagim nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm, ajo tutje shton se si një shtet si Serbia, që praktikon këso politika, mund të antarësohet në BE.
‘’Përkundër thirrjes së shpeshtë për ndihmë nga veprimtarët dhe aktivistët shqiptar nga Medvegja, kërkesat e tyre mbeten të paadresuara. Republika e Kosovës nuk mund të heshtë më! Adresimi i çështjes së lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të bëhet në të gjitha instancat, brenda dhe jashtë vendit. Ky nuk është thjeshtë një problem i izoluar: veprimet e shtetit serb karshi shqiptarëve të Luginës ngërthejnë në vete shkelje fundamentale të të drejtave të njeriut. Një shtet që aktivisht angazhohet në spastrim etnik, edhe pse me metoda të ‘sofistikuara’ siç është pasivizimi i adresave, nuk e meriton anëtarësimin në BE.’’