Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në një intervistë për të përditshmen austriake ‘Der Standard’ , përjashtoi mundësinë se Beogradi mund ta njohë Kosovën brenda kufijve aktualë.
Vuçiqi, siç raporton kjo gazetë, deklaroi se s’ka mundësi që Beogradi ta njohë Kosovë, megjithëse, thotë të ketë dëgjuar nga SHBA-ja se BE-ja ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe se mund të kërkojë njohje nga Beogradi.
I pyetur nëse Serbia do ta njohë ndonjëherë Kosovën si një anëtar të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, Vuçiqi u përgjigj ‘kjo është një pyetje e vështirë për serbët’, përcjellë Koha.net.
Megjithatë, shprehet ai, “duam të shohim çka thonë në Prishtinë”.
“Sigurisht duam të dëgjojmë edhe BE-në. Deri tash, BE-ja nuk ka vendosur asnjë parakusht për Serbinë. Por kemi dëgjuar nga amerikanët se kjo gjë mund të ketë ndryshuar”, tha Vuçiqi.
Ai theksoi se ekziston vetëm një kusht për rifillimin e dialogut.
“Prishtina duhet ta heqë taksën dhe atëherë duhet t’i diskutojmë gjërat pa parakushte. Sidoqoftë, nëse para dialogut të mundshëm thuhet “ne nuk po flasim për territore, nuk po flasim për autonomi për veriun, atëherë për çfarë duhet të flasim”? Në këto kushte, nuk ka negociata”, u shpreh Vuçiqi.
Në konstatimin se fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë Albin Kurti është treguar i gatshëm të heqë taksën, me kusht që Serbia të pranojë targat e Kosovës, Vuçiqi u përgjigj se lideri i Vetëvendosjes me siguri nuk e ka lexuar Marrëveshjen.
“Ekziston marrëveshja për targat, sipas të cilës automjetet me targa të Kosovës duhet të vendosin mbingjitëse dhe e kundërta. Nëse Kurti dëshiron të negociojë diçka tjetër atëherë të shohim çfarë mund të bëjmë. Ata asnjëherë nuk kanë qenë shtet dhe janë të frustruar, prandaj flasin aso marrish”, i ka thënë ai “Der Standardit” austriak, përcjell Koha.net.
Në lidhje me ndërrimin e gjeneratave pas zgjedhjeve dhe ndikimit të mundshëm në dialog, Vuçiq ka shprehur drojë nga ky ndikim.
“Gjatë ditëve të fundit deklaratat e tyre publike kanë qenë tri herë më të zeza se deklaratat e Hashim Thaçit dhe të Ramush Haradinajt”, ka shtuar ai.
Në lidhje me “Shengenin e vogël” Vuçiq ka rikujtuar se tani na duhen pasaporta për të udhëtuar në Tiranë Ose Shkodër. Nga fundi i vitit do të arrijmë që të mund të udhëtojmë vetëm me letërnjoftime”, ka sqaruar Vuçiq nismën e dakroduar me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe me Shqipërinë.
Siç ka sqaruar Vuçiq për këtë medium, qëllimi është të mos ketë më kontrolle kufitare, por ka shtuar se kjo nuk do të arrihet lehtë.
“Po ashtu duhet të eliminojmë barrierat dhe pengesat nëpër kufij për transportin e mallrave, meqë kështu mund të kursejmë më shumë se shtatë për qind të shpenzimeve operative. Po punojmë që lejet e punës të dhëna në Shqipëri të vlejnë edhe në Serbi”, ndërsa ka shtuar se një union i tillë doganor është reale të arrihet deri në fund të vitit 2022.
“Por duhet të shohim çfarë të bëjmë me Kosovën…”, ka shfaqur dilemën, ndërsa në konstatimin se deri më tash Kosova në Kushtetutë figuron si pjesë e Serbisë, dhe nëse është i mundshëm ndryshimi ose marrëveshja në lidhje me këtë, Vuçiq ka thënë se do bëjë çdo gjë që të arrihet marrëveshja, meqë kjo do të siguronte të ardhmen e kombit.