Nga: Miles Johnson-The Financial Times
Përktheu: Agron Shala-Telegrafi
Në prill të vitit 2020, një aeroplan me mallra u ngrit nga aeroporti Zhukovsky jashtë Moskës, për të shkuar drejt Kartumit. Sipas dokumentacionit, aeroplani mbante 28 mijë kilogramë të biskotave ruse me xhenxhefil; ato dërgoheshin në kryeqytetin sudanez nga një kompani e panjohur – e regjistruar në Shën Petersburg dhe e quajtur RN Trading.
Në atë kohë, fluturimi kryesisht kaloi pa u vënë re. Në fakt, ngarkesa – e cila peshonte pothuajse sa 12 vetura Range Rover – u dërgua në emër të Yevgeny Prigozhinit, sipërmarrësit të furnizimit me produkte ushqimore të mbështetur nga Kremlini, i cili u shndërrua nga një ish-i dënuar në themelues të një operacioni mercenar privat që ia ofron muskujt diktatorëve në mbarë botën.
Uniforma paraushtarake, e njohur si Grupi Wagner, ka zhvilluar luftime në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, si mjet jozyrtar i politikës së jashtme të Kremlinit – edhe pse Prigozhini me vite mohoi ekzistencën e grupit. Në muajt e fundit, teksa forcat ruse kanë pësuar frenime të konsiderueshme në Ukrainë, njësitë e operuara nga Wagner-i janë bërë pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e pushtimit rus.
Shpërblimi i Prigozhinit ka qenë seria e koncesioneve për burimet natyrore. Ai aktualisht drejton një kompani shumëkombëshe mineralesh që përfshin, sipas qeverisë amerikane, operacionet me ar, diamant, naftë dhe lëndë druri në Siri, në Sudan dhe në Republikën Qendrore të Afrikës.
Këto aktivitete e kanë bërë Prigozhinin një prej individëve më të sanksionuar në planet dhe, gjatë pesë vjetëve të fundit, qeveritë perëndimore janë përpjekur t’i mbyllin kompanitë e tij.
Kushdo që përballet me presion të tillë, ka nevojë për një avokat të mirë.
Një hetim i Financial Times-it [FT] i bazuar në emailet dhe dokumentet e zbuluara, si dhe të dhënat e korporatave, certifikatat e eksportit dhe intervistat, tregon se si Prigozhini i ka përdorur avokatët kryesorë të korporatave, në mbarë botën, për t’i mbajtur larg vetes qeveritë perëndimore.
Pasi kishte drejtuar një firmë të madhe në Moskë, krijoi një sërë kompanish fantome [shell companies] që lejuan që operacionet e tij mercenare, në Afrikë dhe në Siri, të vazhdojnë të funksionojnë. Dokumentet ofrojnë një pasqyrë të paprecedentë për operacionet e biznesit të Wagner-it, duke zbuluar një grup kompanish kriminale [front companies] të lidhura me Prigozhinin, të tilla si RN Trading, që deri më sot kanë arritur të operojnë pa sanksione.
Në të njëjtën kohë, punësoi avokatë të profilit të lartë në Londër dhe në Uashington dhe hodhi një gënjeshtër mirë të menduar për pafajësinë e vet, si dhe paditi gazetarët që raportonin për aktivitetet që bën. Në një rast, avokatëve iu dha autorizimi i veçantë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, për ta përfaqësuar Prigozhin në pretendimin për shpifje.
Qëkur Putin filloi pushtimin e tij të plotë të Ukrainës, qeveritë perëndimore kanë vënë sanksione gjithëpërfshirëse ndaj një sërë oligarkësh dhe figurave tjera të afërta me liderin rus. Por, edhe në mesin e individëve që Perëndimi është përpjekur t’i izolojë dhe margjinalizojë, Prigozhini është rast i veçantë.
Në çdo zonë luftimi janë shfaqur mercenarët e Wagner-it; janë shfaqur me shpejtësi akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë ekzekutimet arbitrare, torturat, përdhunimet dhe vrasjet e gazetarëve. Të premten, Shtëpia e Bardhë tha se do ta cilësojë Wagner-in si “organizatë kriminale transnacionale” dhe se do të imponojë sanksione të mëtejshme.
Dy vjet më parë u shfaq një video e mercenarëve rusisht-folës që vrasin brutalisht një burrë sirian – duke e rrahur me çekan, duke ia prerë kokën, duke ia prerë krahët me mistri dhe duke ia vënë flakën derisa torturuesit qeshnin. Individët – të cilët më vonë u identifikuan nga gazeta e pavarur ruse e lajmeve, Novaya Gazeta, si mercenarë të Wagner-it – e goditën kokën e tij të prerë nëpër tokë, si të ishte top futbolli.
Në nëntor, një video e re u shfaq në një kanal të Telegram-it të lidhur me Wagner-in, me një dezertor nga luftimet në Ukrainë i cili dukej se ishte vrarë me çekan. Prigozhini më vonë lëshoi një deklaratë duke bërë shaka për vrasjen, duke e quajtur “punë të shkëlqyer regjisoriale që mund të shikohet duke bërë punë tjera”.
Rrjeti i fshehur i kompanive të Prigozhinit thekson sfidat me të cilat përballen qeveritë perëndimore, në përpjekjen për t’i përdorur sanksionet për ta ngufatur aktivitetin e figurave kryesore të makinës së luftës së Vladimir Putinit.
Dokumentet shtrojnë gjithashtu pyetje etike në lidhje me firmat ligjore që kanë përfaqësuar Prigozhinin. Disa nga avokatët kanë theksuar se sistemi juridik varet nga parimi se të gjithë kanë të drejtën e përfaqësimit. Kritikët, megjithatë, thonë se ata kanë përfunduar duke përfaqësuar një gangster që është përpjekur t’i përdorë gjykatat perëndimore si mjet të luftës asimetrike në emër të shtetit rus.
“Dëshmitë e disponueshme, publikisht, ishin shumë të qarta se ai është kreu i një organizate terroriste, i Grupit Wagner. Megjithatë, ranë dakord që gjithsesi ta përfaqësojnë”, thotë Matthew Jury, avokati i një gazetari të paditur nga Prigozhini. “Kjo është vija e kuqe të cilën çdo avokat etik duhet të refuzojë ta kalojë”.
Prigozhini nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar. Sidoqoftë, kur FT kërkoi koment nga një koleg i themeluesit të Wagner-it, vetë Prigozhini u përgjigj në Telegram: “Nëse [FT] mendon se punonjësi im do t’i përgjigjet kësaj përtypjeje të pafund të mutit në gojë e vet, unë do të doja të përgjigjem për Financial Times-in … Pështyje atë mut, merr pak frymë në ajër të pastër.”
Në prill 2018, një burrë i quajtur Evgeniy Burleev ia dërgoi një email Pavel Karpuninit, partner në Capital Legal Services [CLS] – një prej firmave më të mira ligjore të Rusisë – nga llogaria e tij personale në Mail.ru, për të pyetur në lidhje me ngritjen e një serveri të jashtëm që ata të komunikojnë në mënyrë të sigurt. Emaili nga Burleevi iu përcoll ekipit të IT-së të firmës ligjore.
“Nga ana ime gjithçka është gati”, u përgjigj punonjësi i IT-së. “Serveri është instaluar”. Puna që bënte CLS u kodua si “Projekti Shekspir” dhe punonjësit e saj ishin të vetëdijshëm se kërkonte kujdes maksimal.
Shefi i Burleevit ishte Prigozhini dhe Projekti Shekspir kishte funksion shumë specifik. Sipas gjurmëve [cache] të emailave që ka parë FT dhe që janë lëshuar nga trupi jofitimprurës i transparencës, Distributed Denial of Secrets, kjo ishte fushatë e fshehtë shumëvjeçare ligjore, e koordinuar nga CLS-ja, për ta ndihmuar Prigozhinin që ta kapërcejë një ortek sanksionesh perëndimore – të vendosura ndaj biznesmenit rus, e që synoheshin përpara pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Karpunini, partneri i CLS-së, iu referua Prigozhinit si “klienti i tij i preferuar”.
Prigozhini e filloi karrierën duke shitur hot-dog në rrugët e Shën Petersburgut, në fillim të viteve 1990, pasi kishte vuajtur në burgun sovjetik për pjesëmarrje në një grabitje ku thika u mbajt në fytin e një gruaje – në tentimin për ta vjedhur çantën e saj. Në fund të mijëvjeçarit, Prigozhini kishte ngritur një varg restorantesh të njohura dhe kishte tërhequr vëmendjen e presidentit të ri rus, Vladimir Putin, i cili i kërkoi atij që të kujdesej për darkat për vizitorët dhe liderët e huaj, përfshirë George W. Bushin.
Grupi Concord Catering, kompania e Prigozhinit, shpejt nisi të fitojë kontrata fitimprurëse nga shteti rus, duke e bërë themeluesin e tij të pasur dhe duke ia dhënë epitetin e “kuzhinierit të Putinit”.
Nga ushqimi kaloi në ofrimin e mercenarëve me qira. Wagner-i u themelua në vitin 2014 dhe shpejt nisi të marrë famë ndërkombëtare.
Hetuesit e OKB-së dokumentuan se si mercenarët e Wagner-it ishin të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut në Republikën Qendrore të Afrikës, përfshirë torturat, zhdukjet, ekzekutimin arbitrar dhe përdhunimin. Në qershor 2019, luftëtarët paraushtarakë sudanezë, të cilët ishin trajnuar nga mercenarët Wagner, vranë më shumë se 100 protestues në kryeqytetin e vendit, në Kartum.
Prigozhini u padit nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në vitin 2018, për financimin e manipulimeve [troll farms] të përdorura për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në ShBA.
Qeveritë perëndimore filluan gjithashtu të përqendrohen në kompanitë e lidhura me Prigozhinin, të cilave u ishin dhënë koncesionet e vlefshme në këmbim të mbështetjes ushtarake që Rusia ofronte.
Në prill të vitit 2020, Departamenti i Thesarit i ShBA-së, i cili në vitin 2018 veçse kishte sanksionuar një kompani që i përkiste Prigozhinit – së cilës i ishte dhënë kontrata e naftës në Siri – shkon tutje për ta mbyllur rrjetin e tij afrikan. ShBA vendosi sanksione ndaj operatorit sudanez të minierave të arit, Meroe Gold. Uashingtoni tha se kompania ishte “në pronësi dhe e kontrolluar” nga Prigozhini dhe se shërbeu si “si mbulesë për forcat Wagner që vepronin në Sudan”, të cilën e quajti “forcë përfaqësuese e emëruar nga Ministria e Mbrojtjes ruse”.
Në të njëjtën kohë, me futjen e sanksioneve të reja, emailet dhe të dhënat tjera tregojnë se CLS-ja punonte me entitetet tjera të reja që duket se ishin fshehurazi të kontrolluara nga Prigozhini dhe që mbetën të pasanksionuara.
Në shkurt 2020, avokatët në CLS filluan të punojnë për një entitet rus të quajtur RN Trading. Kompania nuk ka asnjë lidhje të dukshme me Prigozhin, përmes aksionerëve apo drejtorëve, dhe e liston qëllimin e biznesit si përfshirje në aktivitetet ku futen minierat dhe nxjerrja e naftës jashtë Rusisë. Megjithatë, në të dhënat e faturimit të CLS-së është renditur si pjesë e Grupit Concord të kompanive të Prigozhinit.
RN Trading ka lënë pas një gjurmë të lidhjeve me kompanitë e sanksionuara të Prigozhinit. Sipas të dhënave të eksportit rus, ngarkesa e madhe e mallrave të etiketuara si biskota me xhenxhefil, dërguar nga RN Trading më 30 prill 2020, shkoi te kompania në Kartum e quajtur Meroe For Agricultural & Animal Production, e cila ka emër të ngjashëm dhe të njëjtën adresë si Meroe Gold, kompani kjo e sanksionuar.
Nuk është e mundur të dihet nëse dërgesa e vitit 2020 përmbante vetëm biskota me xhenxhefil.
CNN vitin e kaluar raportoi se zyrtarët sudanezë kishin inspektuar një aeroplan të Rusisë në Kartum dhe se ata gjetën ar në kutitë që ishin etiketuar si biskota.
Emailet e CLS-së përmbajnë detaje të kompanive të tjera që duket se janë pjesë e Concord-it. CLS bënte punë ligjore për një kompani të quajtur Profit Group, që ishte e listuar në të dhënat e faturimit si pjesë e Concord-it dhe funksionet e së cilës – mes aktiviteteve tjera – përshkruhen si nxjerrja e mineraleve dhe naftës jashtë shtetit.
CLS ka kryer punë edhe për një kompani të quajtur Astrea, e cila nga kompania ligjore është listuar si e Prigozhinit. Kjo kompani ka të njëjtin drejtor rus me atë të Velada LLC, së cilës nga regjimi i Assadit në Siri i është dhënë koncesioni për ta shfrytëzuar naftën dhe gazin. Velada u sanksionua nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, në vitin 2022, për lidhjet me Prigozhinin dhe për përfitimet e qeverisë siriane.
Asnjë nga këto kompani të zbuluara nga FT nuk janë konfirmuar zyrtarisht se kontrollohen nga Prigozhini ose se janë aktualisht nën sanksionet perëndimore.
Duke përdorur të dhënat e eksportit, është e mundur të lidhen kompanitë Prigozhinit të listuara në të dhënat e CLS-së – me burimet e operimeve natyrore që janë objekt i sanksioneve.
Për disa vjet, për shembull, këto kompani kanë transportuar me anije sasi të mëdha materialesh dhe pajisjesh industriale – nga Rusia përmes portit të Douala në Kamerun.
Në prill, në fazat e hershme të pushtimit të Ukrainës, një kompani e Prigozhinit dërgoi një ngarkesë të traktorëve përmes portit Douala, në rrugën e tyre për operacionin e prerjeve të druve në Republikën e Afrikës Qendrore [RAQ]. Një muaj më parë dërgoi elektroda saldimi, silikon izolues dhe gjeneratorë në bazën e tij në RAQ.
Allen Maggard, analist në firmën e analizave të konfliktit me bazë në Uashington, C4ADS, përshkruan përdorimin nga Prigozhini të një “koleksioni të mjegullt të subjekteve të ndryshme juridike dhe të kompanive fantome” të kombinuara me juridiksionet e fshehta të kompanive të regjistruara jashtë [offshore], si thelbësore për mundësinë e tij dhe të Wagner-it për të vepruar.
“Edhe me sanksione (ose dy ose tre) kundër tyre, akterët e paligjshëm të të gjitha llojeve priren t’i përdorin të gjitha këto – kompanitë fantome, drejtorët e emëruar, juridiksionet e fshehta të jashtme dhe edhe më shumë – në qëllimin e tyre për të ruajtur qasjen në sistemet globale të tregtisë, të financave dhe të transportit”, thotë ai.
Gjatë të njëjtës periudhë – përpara pushtimit të Ukrainës në vitin 2022 – kur dukej se avokatët e CLS-së ofronin shërbime ligjore për kompanitë e Prigozhinit, ata gjithashtu ishin të angazhuar në një përpjekje paralele ligjore për t’i përdorur gjykatat perëndimore për ta mbrojtur reputacionin e tij.
CLS udhëzoi një sërë avokatësh të shquar në Londër dhe në Uashington, që të punonin në rastet kur ata pretendonin se ishte e rreme çdo lidhje e dyshuar midis Prigozhinit dhe mercenarëve. Për CLS-në, kjo degë e punës së tyre për Prigozhini njihej si Projekti Hamlet.
Firmat kryesore ligjore ishin të etshme për të punuar me CLS-në, në emër të Prigozhinit. Një partner në Reed Smith, firmë ligjore ndërkombëtare, në qershor 2020 shkroi urimin për Vladislav Zabrodinin, partnerin menaxhues të CLS-së, për punën e përbashkët të firmave të tyre përkatëse, në luftën kundër përpjekjes së dështuar të Departamentit të Drejtësisë të ShBA-së për ta ndjekur penalisht Prigozhin për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 në ShBA.
“Isha shumë i kënaqur që pashë rezultatin e përpjekjeve të përbashkëta, të ekipit tuaj dhe ekipit tonë, në lidhje me çështjen Concord – bravo për të gjithë”, shkroi ai. “Pos kësaj, a po mendon ende për Kolegjin Uinçester, për djalin tuaj? Mendova për ju dje, kur në një telefonatë (lidhur me bursat e studimit të shkollës së vjetër) rektori papritmas u fut në linjë”!
Disa muaj më vonë, në tetor 2020, Prigozhini u sanksionua nga BE-ja për “lidhje të ngushta, përfshirë ato financiare, me kompaninë private ushtarake – Grupi Wagner”. CLS kontaktoi Martin Lewisin, avokat në Phillips Lewis Smith të Londrës, në përpjekjen për ta rrëzuar vendimin. Ky proces u përshkrua nga CLS-ja si “ndryshim i narrativës” rreth veprimtarisë mercenare ruse.
Në nëntor 2020, Karpunini i shkroi Lewisit se “duhet të përpiqemi ta provojmë falsitetin e akuzave”, por pranoi se nuk shihte ndonjë “mundësi reale për të hedhur poshtë akuzat që i atribuohen Wagner-it”. “Duhet të lëvizim nga diskutimi metafizik, nëse është e mundur të provojmë të kundërtën, dhe ta diskutojmë realitetin fizik se si ta bëjmë këtë”.
Pas konsultimit me avokatët në Phillips Lewis Smith, CLS muajin pasardhës përgatiti një kërkesë për Gjykatën e Përgjithshme të Bashkimit Evropian, për të rrëzuar sanksionet kundër Prigozhinit. Kërkesa pretendonte: “Ai nuk ka njohuri për entitetin e njohur si Grupi Wagner … Nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë ndonjë lidhje qoftë të afërt apo tjetër, qoftë financiare apo tjetër me ndonjë subjekt të njohur si Grupi Wagner … Këshilli nuk e ka identifikuar asnjë entitet të njohur si Grupi Wagner”.
Megjithatë, për të pasur qasje në përmbysjen e sanksioneve kundër klientit të tyre, CLS duhej të tregonte gjithashtu se është i rremë raportimi gjithnjë e më i detajuar nga organizatat e mediave ruse dhe perëndimore, për aktivitetet mercenare të Prigozhinit në mbarë botën.
Në vitin 2021, avokatët e CLS-së kontaktuan Roger Ghersonin, avokat me bazë në Londër, i njohur për përfaqësimin e klientëve rusë të profilit të lartë, për të filluar ndjekjen e një rasti të shpifjes kundër Eliot Higginsit, themeluesit të ueb-faqes hulumtuese Bellingcat, që kishte publikuar artikuj të shumtë rreth Prigozhinit.
Për të paditur dikë në emër të një individi të sanksionuar, Ghersoni fillimisht kishte nevojë për miratimin e qeverisë britanike. Aplikoi për një leje speciale nga Thesari i Mbretërisë së Bashkuar, e cila iu dha.
Ghersoni, përmes një firme simotër të quajtur Discreet Law, lëshoi pretendimin për shpifje kundër Higginsit, sipas së cilës gazetari britanik kishte shpifur për Prigozhinin duke e lidhur atë me aktivitetet e Wagner-it dhe vrasjen e tre gazetarëve rusë në Republikën e Afrikës Qendrore. CLS gjithashtu kërkoi nisjen e veprimeve ligjore kundër BBC-së, por nuk e çoi çështjen më tej.
Discreet Law, në një depozitim në fillim të dhjetorit 2021, në Gjykatën e Lartë angleze, tha se sugjerimi i Higginsit se klienti i tij ishte “i përfshirë në qendër të operacioneve të paligjshme, klandestine dhe vdekjeprurëse ushtarake dhe paraushtarake të shtetit rus në vendet anembanë botës”, kishte rezultuar në atë që Prigozhini të jetë “dëmtuar rëndë në karakterin dhe reputacionin e tij dhe se ka vuajtur stres të madh” për të cilin kërkonte dëmshpërblime të mëdha.
Deri në fund të vitit 2021, me pretendimin për shpifje që ishte në proces, Karpunini bëri gati një dhuratë për Prigozhin për shënimin e Vitit të Ri. Brenda, në paketim, ishte një topth i vogël transparent i mbushur me borë të rreme, një palë çorape dhe një shënim ku shkruhej: “Gatitur për vlerat tua”.
Kjo situatë e sigurt ishte para pushtimit të Ukrainës. Tani, përballë neverisë ndërkombëtare për luftën e Putinit, avokatët perëndimorë që kishin vepruar për Prigozhinin, nisën të tërhiqen. Në mars, Discreet Law, firma që paditi Higginsin, kërkoi zyrtarisht të ndalte punën për Prigozhinin. Seanca gjyqësore u zhvillua në mënyrë private, pa pjesëmarrje të shtypit. Kjo shkaktoi një deklaratë të furishme për shtyp nga Prigozhini, i cili pretendonte se ishte i pafajshëm dhe, në pa mundësi për të marrë përfaqësim ligjor, akuzoi Mbretërinë e Bashkuar për “rusofobi”.
Papritmas, avokatët në Londër hasën në një vëzhgim të ri për punën që kishin bërë për klientët rusë – të afërt me regjimin e Putinit.
Në maj, një grupi të juristëve dhe avokatëve iu kërkua të dorëzonin provat në një komision të përzgjedhur parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar, nëse ligji anglez i shpifjes kishte nevojë për reforma urgjente – për ta ndaluar abuzimin e tij nga oligarkët rusë që duan të heshtin raportimin për pasurinë dhe aktivitetet e tyre.
Një anëtar i panelit ishte Justin Rushbrooke KC, një nga avokatët kryesorë të mediave në Angli, i cili kishte vepruar për Prigozhinin në çështjen e tij kundër Higginsit. Ai u tha deputetëve se rastet e shpifjes abuzive ishin shumë të pamundura sepse “kjo në thelb kërkon që një pretendues ta bazojë rastin e vet në një gënjeshtër”. Ai shtoi: “Rastet e tilla, në përvojën time dhe në librat e ligjit, janë pothuajse të rralla, megjithëse ndodhin”.
Katër muaj më vonë, në internet u shfaq një video e një burri tullac, duke ua mbajtur një fjalim të burgosurve që qëndronin në një oborr në Rusi. “Unë e përfaqësoj një kompani private ushtarake”, u thotë ai të burgosurve me uniforma të zeza që e rrethojnë atë. “Mbase keni dëgjuar për Wagner-in”? Folësi në video u identifikua shpejt si Yevgeny Prigozhin – njeriu që i kishte kaluar katër vjetët e fundit duke ndjekur çdo mundësi ligjore për t’i fshehur operacionet e veta mercenare.
Brenda disa ditëve nga shfaqja e videos, Prigozhini bëri një deklaratë tjetër mahnitëse – pranoi se e kishte themeluar grupin mercenar. “I pastrova vetë armët e vjetra, i zgjidha vetë jelekët antiplumb dhe gjeta specialistët që mund të më ndihmojnë për këtë. Që nga ai moment, më 1 maj 2014, lindi një grup patriotësh, i cili më vonë u quajt Batalioni Wagner”, tha ai. Ai më vonë gjithashtu pranoi se u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet në ShBA.
Në fakt, ai publikisht rrëfente se rastet e ngritura në emër të tij, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA, ishin bazuar në gënjeshtra. Në nëntor, Prigozhini ndërmerr hapin e fundit për të hequr dorë nga pretendimet e mëparshme: për Wagner-in hapi selinë në një ndërtesë shumëkatëshe në Shën Petersburg, me xhamat para ku është vënë logoja e uniformës mercenare.
“Ishte shumë e qartë se ishte akt i hakmarrjes nga Prigozhini”, thotë Higgins për veprimin për shpifje kundër tij. “Atij ia ofruan lehtësimet nga sanksionet, për të më paditur dhe unë këtë e shoh si gjë shumë të rëndë. Që atëherë, të gjitha provat kanë treguar se ishte abuzim i qartë i sistemit ligjor anglez”. Higgins thotë se mbeti pa 70 mijë funte në xhep, për shpenzimet që nuk do të mundi t’i kthente. “Avokatët e tij e dinin se çfarë po bënin dhe ne duhej ta përballonim koston financiare”.
Pavel Karpunin, partneri i CLS-së, tha se ai nuk mund t’i komentojë detajet e punës konfidenciale të klientit, por tha se firma ishte “tronditur” kur Prigozhini pranoi se e kishte themeluar Wagner-in. Ai tha se avokati është “palë neutrale” që duhet të avancojë pozicionin e klientit, në mënyrë profesionale. “Asnjë nga shërbimet tona nuk mund të konsiderohet si lehtësim i shmangies së ndonjë regjimi të sanksioneve”, shtoi ai.
Reed Smith nuk pranoi të komentonte Roger Ghersonin për Discreet Law, meqë tha se firma “kishte përmbushur plotësisht e në çdo kohë detyrimet e veta ligjore dhe profesionale”.
Justin Rushbrooke nuk pranoi të komentonte. Ndryshe nga avokatët të cilët mund të zgjedhin lirisht nëse do ta përfaqësojnë një klient, avokatët në Angli funksionojnë sipas të ashtuquajturit rregulli i rangut, ku ata janë të detyruar të marrin çështjen nëse janë të disponueshëm, pavarësisht nga identiteti i individit. Avokatët e Prigozhinit në Londër ndaluan së vepruari për të, përpara se ai të pranonte se e drejton Wagner-in.
Martin Lewis nga Phillips Lewis Smith, tha se individët e sanksionuar duhet të kenë të drejtën të mbrojnë veten nën sundim të ligjit. “Një sistem ligjor i vlefshëm nuk ekziston vetëm për t’u shërbyer flagrantëve dhe të padiskutueshmëve. Të jesh avokat kjo nuk është pasaportë e popullaritetit”, tha ai.
Jury, avokati që mbrojti Higginsin, mbetet shumë kritik. “Prigozhini, një njeri organizata e të cilit ka vrarë gazetarë, u përpoq t’i përdorte gjykatat angleze për ta heshtur dhe frikësuar shtypin tonë të lirë. Avokatët e tij ia lehtësuan këtë”, thotë ai. “Ky duhet të jetë shkaku për të t’u shqetësuar dhe turpëruar”. /Telegrafi/