Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, e ka përjashtuar mundësinë për konvokimin e sërishëm të Parlamentit, për shkak të ratifikimit të Protokollit për NATO, pasi që ai do të shpërbëhet në pajtim me afatet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 12 prill.
Xhaferi, në intervistë për Radio Televizionin e Maqedonisë, sqaroi se Kodi zgjedhor parasheh 60 ditë për realizimin e zgjedhjeve. Sipas tij, nuk mund të bëhet analogji mes zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve për president të shtetit, kujt, kur, mbi çfarëdo baze i përfundon funksioni. Kushtetuta parasheh 40 ditë.
“Kur do të jep mundësi Kushtetuta dhe Ligji për Parlamentin të funksionojë si teknike, gjithsesi do të mund të zbatohet. Kushtetuta dhe ligji nuk parashohin Parlament teknik. Me shpërbërjen e deputetëve dhe Parlamentit, vendoset që mandati t’ju kthehet qytetarëve dhe të dilet në zgjedhje për të kërkuar mandat të ri. Nga vendimi për shpërbërje, Parlamenti më nuk ka mandat. Situatat kur mund të konvokohet, në nevoja urgjente i parasheh Kushtetuta dhe ajo parasheh kompetenca adekuate në situata të tilla të presidentit të shtetit. Por, saktësisht dihet se në cilat kushte dhe parakushte. Pra, në raste të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, ligjvënësi dhe kushtetuta kanë parapara situatë të tilla”, thotë Xhaferi.
Ai, shtoi se nuk mund si institucion të udhëhiqet nga hipoteza se çka do të ndodhë në Spanjë, një prej tre shteteve ku nuk është i ratifikuar Protokolli për anëtarësimin tonë në NATO, ku me 10 nëntor janë caktuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Sipas afateve të tyre, me 3 dhjetor duhet të ketë seancë konstitutive. Kjo nuk nënkupton se deri në fund të dhjetorit do të ketë qeveri. Pavarësisht kësaj, ne nuk mund të udhëhiqemi nga hipoteza se çka do të ndodhë atje. Nëse qëllimi është të priten rezultate nga zgjedhjet e tyre, atëherë edhe data e zgjedhjeve gjatë negociatave të partive politike te presidenti është dashur të udhëhiqet nga fakti që të lë hapësirë të presin se çka do të ndodhë në Spanjë, dhe pastaj të caktojnë datë shtesë, varësisht prej zhvillimeve atje”, tha Xhaferi.
Ai vlerëson se nuk mund të konvokohet një Parlament i shpërbërë, dhe nëse zhvillohet në kundërshtim me atë çka është shkruar, siç tha ai, ekziston rreziku që ajo të refuzohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse dikush ngre iniciativë.
Mes tjerash ai tha se ka njohuri se Franca, procedurën e ratifikimit duhet të përmbyll gjatë këtij muaji.
Po ashtu ai foli edhe për ndryshimet e Kodit zgjedhor, me çka theksoi se kjo është çështje e debatit politik dhe se për këtë nevojitet konsensus dhe tejkalim i dallimeve politike.
Njëkohësisht vlerësoi se në prag të zgjedhjeve të parakohshme dhe pritjes së Samitit të majit të Bashkimit Evropian, nuk do të ishte e përshtatshme të fillohet debat i tillë, i cili sipas tij do të krijonte klimë të keqkuptimeve dhe do të ishte pasqyrë e keqe drejt partnerëve ndërkombëtarë./MIA/