Para gjashtë javësh, kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka 29-vjeçar, u lëndua në derbin e Londrës veriore kundër Tottenhamit. Rikthimi i tij në fushë do të zgjasë edhe më shumë sesa që është përmendur fillimisht.
Xhaka u raportua se do të mungojë tre muaj pas lëndimit të rëndë në gju dhe nuk do të jetë pjesë e Zvicrës në duelet e nëntorit kundër Italisë dhe Bullgarisë.
Gazeta zvicerane “Blick” të shtunën ka shkruar se nuk ka lajme të mira. Ylli i Arsenalit lëndoi rëndë ligamentet e gjurit të djathtë dhe është raportuar tani se ai nuk do të jetë i gatshëm as për stërvitje deri në fillim të vitit 2022.
“Graniti po bën përparim në hapat e parë të rikthimit nga lëndimi i gjurit. Synimi është që Graniti të jetë i gatshëm të stërvitet sërish në fillim të vitit të ardhshëm”, kanë thënë zyrtarë të klubit londinez.
“Mentaliteti i tij është i fortë. Graniti e di se çfarë duhet të bëj. Ai ka karakter të fortë dhe do të kthehet në kohën e duhur. Ai është lojtar i rëndësishëm për ne dhe na duhet ndihma e tij. Do të na mungoj”, ka thënë 39-vjeçari, trajneri Mikel Arteta.
Xhaka në edicionin e sivjetmë ka zhvilluar vetëm pesë ndeshje në Premier League e Kupën EFL.