Në dy dekadat e fundit, grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, e sidomos nga Shqipëria, janë aktorët kryesorë në tregtinë globale të drogës .
Dubai, streha e trafikantëve shqiptarë, konsiderohet nga shtypi britanik si “Costa del Crime e re”, në analogji me strehën famëkeqe të krimit në Spanjë, “Costa del Sol”. Rrjetet ballkanike janë të përfshira në trafikun e heroinës, prodhimin dhe trafikimin e kanabisit, si dhe trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në portet e Evropës Perëndimore dhe Juglindore.
Në një artikull të Global Inititative shkruhet se përgjatë viteve trafikantët shqiptarë, kanë grumbulluar pasuri të konsiderueshme, influencë të madhe, por edhe një numër të lartë rivalësh droge, me të cilët shpesh përfshihen në përplasje me armë zjarri për larje hesapesh droge .
Edhe pse trafikantët ruajnë lidhje të forta me Shqipërinë, shumica e aktivitetit të tyre kriminal zhvillohet jashtë Ballkanit Perëndimor. Trafikantët e drogës pozicionohen pranë burimeve të furnizimit: në Ekuador, Brazil dhe Kolumbi ndërsa korrierët e drogës menaxhojnë rrjetet e shpërndarjes në Belgjikë, Itali, Holandë, Spanjë dhe Mbretëri të Bashkuar. Paratë e fituara nga droga dhe krerët e grupeve të strukturuar kriminale fshihen në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në shtator të vitit 2020, Europol zhvilloi një megaoperacion kundër një grupi kriminal shqipfolës, i konsideruar si një nga më aktivët në tregtinë e kokainës në Evropë. Hetimet rezultuan në arrestimin e 20 personave nga nëntë shtete të botës.
Një prej tyre ishte edhe Eldi Dizdari , një shqiptar me banim në Dubai. Dizdari është një nga disa shqiptarë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, që kanë gjetur strehim në Emiratet e Bashkuara Arabe. Rreth dy të tretat e të gjithë krerëve të grupeve kriminalë shqiptarë fshihen në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në artikull shkruhet se trafikantët shqiptarë blejnë pasuri të paluajtshme dhe investojnë në ekonominë vendase, duke pastruar lehtësisht paratë e ardhura nga krimi. Arsyeja pse Emiratet e Bashkuara Arabe tërheqin botën e krimit, është sepse nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë.
Gjithashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe renditen në vendin e 57 nga 193 vende në botë në renditjen e përgjithshme të kriminalitetit. Në Dubai rezulton edhe një ekzaminim i dobët i transaksioneve të dyshimta që vijnë nga organizata kriminale. Në mars të vitit 2022, mbikëqyrësi global, Task Forca e Veprimit Financiar i vendosi Emiratet e Bashkuara Arabe në listën gri pas shqetësimeve se nuk po bën mjaftueshëm për të trajtuar aktivitetet e paligjshme financiare.