Një tjetër vendbanim prehistorik, është zbuluar në afërsi të rrugës Pogradec-Drilon. Një ekip arkeologësh të Institutit të Arkeologjisë Shqiptare në bashkëpunim me studentë të arkeologjisë nga Maqedonia e Veriut, Serbia etj., prej pak ditësh kanë nisur në këtë zonë fazën e tretë të gërmimeve studimore.
Sipas drejtueses shkencore të projektit, arkeologes Edlira Andoni, kemi të bëjmë me një vendbanim i cili i përket periudhës së Neolitit të hershëm, rreth 7800-8000 vjeçar, pra më i hershëm se vendbanimi i tipit “palafit” në Buqezë.
“Jemi në sezonin e tretë të gërmimeve në vendbanimet e neolitit të hershëm. Gjatë të tri sezoneve kemi rezultate rreth veprimtarisë njerëzore në këtë vendbanim. Kemi tre datime me radiokarbon që tregojnë kohëzgjatje të vendbanimeve. Deri tani kemi të dhëna për organizimin e vendbanimit, organizimin e banesave dhe botëkuptimin e banorëve”, thotë Andoni.
Arkeologia Edlira Andoni, drejtuese shkencore e projektit
Tipologjia e ndërtesave në të është mjaft e veçantë, sipas arkeologëve kemi të bëjmë me ndërtesa të cilat kanë qenë deri në dy kate, ndërsa vendbanimi mendohet të ketë pasur një sipërfaqe rreth 2 hektarë.