Një këshill lokal në Britani ka shkaktuar reagime të ashpra pasi po përpiqet të ndalojë vendosjen e flamujve të Shën Gjergjit në rrugë, pavarësisht pjesëmarrjes së Anglisë në Kupën e Botës.
Këshilli i Qarkut të Oksfordshajërit (Oxfordshire County Council) ka paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Lartë për një urdhër gjyqësor që do t’i ndalonte banorët të vendosnin flamuj pranë autostradave dhe rrugëve publike.
Sipas autoriteteve lokale, vendosja e flamujve ka shkaktuar shqetësim në komunitete dhe në disa raste ka çuar në abuzime dhe intimidim. Këshilli argumenton gjithashtu se flamujt e vendosur pranë rrugëve mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike.
Nëse miratohet, urdhri do të ndalojë vendosjen e flamujve të Mbretërisë së Bashkuar (Union Flag) dhe të Kryqit të Shën Gjergjit pranë rrugëve.
Vendimi i propozuar ka nxitur kritika të forta nga kundërshtarët, të cilët e kanë akuzuar këshillin për “sinjalizim moral” (virtue-signalling) dhe se po tregon turp për identitetin britanik.
Nisma vjen pas fushatës “Raise the Colours” të vitit të kaluar, gjatë së cilës flamujt u vendosën në rrugë, rrethrrotullime dhe zona të ndryshme publike në mbarë vendin. Kritikët argumentojnë se ndalimi i tyre gjatë një ngjarjeje madhore sportive si Kupa e Botës është i pajustifikuar dhe cenon shprehjen e krenarisë kombëtare.


