Zgjedhjet për Këshillin Nacional Shqiptar në Luginë mbahen më 13 nëntor

 596,199 total views,  2 views today

Në Luginën e Preshevës më 13 nëntor do të mbahen zgjedhjet për Këshillin Nacional Shqiptar. Këto zgjedhje do të zhvillohen në 49 njësi zgjedhore në të cilat janë regjistruar mbi 40 mijë votues. Partitë tashmë kanë nisur fushatat e tyre.

Në këto zgjedhje marrin pjesë të gjitha partitë politike që i tubojnë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.  Aktualisht nuk ka ndonjë koalicion parazgjedhor, ndërsa pesë listat zgjedhore tashmë kanë nominuar edhe kandidatë për kryetar të KNSh-së.

Të pyetur se pse qytetarët duhet t`i votojnë ata për kryetar të KNSh- së, ata janë shprehur:

“Për shkak të një programi shumë më të kompletuar, të fushave që janë kompetente rreth Këshillit Nacional, po në kontest të veçantë nostrifikimin e diplomave dhe ndalimin e një veprimi shumë të dëmshëm pasivizimin e adresave në këtë rajon”, ka thënë për RTK-në Agim Haliti nga Lista e PD –së.

“Për katër vite Këshilli Kombëtarë Shqiptarë ka arritur t`i përmbush të gjitha zotimet të cilat ishin bërë. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që Këshilli Kombëtarë edhe më tej të vazhdojë, të vazhdojmë bashkë”, ka thënë Ragmi Mustafa nga Lista e PVD-së.

“Sepse unë garantoj unifikimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, gjë e cila ka munguar nga udhëheqjet e kaluara në Këshillin Kombëtarë Shqiptarë”, ka thënë Levent Qazimi  nga Lista e APN-së

“ Atëherë Këshilli Kombëtarë Shqiptarë është institucioni më i lartë i shqiptarëve në nivel të republikës së Serbisë dhe duke pas parasysh se sa i rëndësishëm është për ne, jemi angazhuar me të gjithë potencialin tonë edhe njerëzorë edhe intelektual, që të japim kontributin tonë”, ka thënë Nevzad Lutfiu nga  Lista e LPD-së.

 “Qytetarët e Luginës së Preshevës duhet ta votojnë listën e Partisë Demokratike Shqiptare, pasi që është e vetmja që ka mbrojtur kauzën kombëtare duke u bazuar në referendum dhe në luftën çlirimtare e ka moton për bashkim”, ka thënë  Enver Mehmeti nga Lista e PDSH-së.

Këshilli Nacional Shqiptar, sipas legjislaturës serbe është institucion përfaqësues i pakicës shqiptare që jeton në Serbi. Ai ka kompetenca në katër sfera të cilat janë bazë e ruajtjes së identitetit dhe traditës kombëtare, siç është arsimi, kultura, informimi si dhe përdorimi i gjuhës dhe shkrimit shqip.