Zjarr i madh në Londër / 100 zjarrfikës në luftë me flakët, banorët të qëndrojnë të izoluar

Share

Një zjarr i madh ka shpërthyer pasditen e së hënës në një qendër riciklimi në zonën e Bermondsey, në Londër, duke shkaktuar re të dendura tymi të zi që janë përhapur mbi kryeqytetin britanik.

Sipas Brigadës së Zjarrfikësve të Londrës, në vendngjarje janë angazhuar 15 automjete zjarrfikëse dhe rreth 100 zjarrfikës. Alarmi u dha rreth orës 17:30, ndërsa ekipe nga stacionet zjarrfikëse të Deptfordit, Old Kent Road-it, Greenwich-it dhe zonave përreth mbërritën menjëherë për të vënë nën kontroll flakët.

Për të përballuar zjarrin, autoritetet kanë përdorur edhe dy shkallë speciale me lartësi 32 metra, të cilat po ndihmojnë në shuarjen e flakëve nga ajri.

Tymi i dendur i zi është parë nga zona të ndryshme të Londrës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të mbajnë të mbyllura dyert dhe dritaret dhe të shmangin zonën e prekur deri në përfundimin e operacionit.

Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërsa shërbimet e emergjencës vazhdojnë punën për vënien e situatës nën kontroll.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit