Të paktën 30 njerëz vdiqën në tre periferi të Mumbait pasi disa shtëpi u shembën kur shiu i madh shkaktoi rrëshqitje të tokës, thanë zyrtarët të dielën, dhe parashikimet e reshjeve të mëtejshme mund të detyrojnë autoritetet të zhvendosin njerëzit që jetojnë në zona të rrezikshme.
Shpëtuesit gërmuan tokën në një përpjekje për të gjetur të mbijetuarit, tregoi televizioni lokal, ndërsa autoritetet thanë se më shumë njerëz mund të bllokoheshin nga rrëshqitja e dheut. Punëtorët e urgjencës i bartën të plagosurit në barela të improvizuara.
Disa zona të Mumbait janë goditur nga përmbytjet për shkak të reshjeve të mëdha të shiut gjatë 24 orëve të fundit, duke dëmtuar kryeqytetin financiar të Indisë. Mega-qyteti dhe bregdeti i shtetit industrial Maharashtra në Indi pritet të kenë reshje të mëdha shiu deri në katër ditët e ardhshme, ka thënë departamenti i motit.
Shiu i rrëmbyeshëm, sidomos gjatë kohës korrik-shtator, shpesh shkakton shembjen e ndërtesave, veçanërisht strukturave më të vjetra ose të ndërtuara në mënyrë të paligjshme.
Brenda 24 orëve të fundit, autoritetet kanë raportuar 11 incidente të shembjes së shtëpive ose mureve në zonën e Mumbait.