Kaos në Paris pas triumfit të Paris Saint-Germain në finalen e UEFA Champions League. Festimet e tifozëve u shndërruan në përplasje të dhunshme me policinë, duke çuar në arrestimin e 416 personave në mbarë Francën, ndërsa 7 efektivë policie mbetën të lënduar.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, 283 nga arrestimet u kryen në Paris. Në zona të ndryshme të kryeqytetit u raportuan automjete të djegura, dëmtime të bizneseve dhe përplasje mes turmave dhe forcave të rendit. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet më problematike.
Rreth 20 mijë tifozë u mblodhën në Champs-Élysées për të festuar suksesin e PSG-së, ndërsa autoritetet kishin angazhuar rreth 22 mijë policë në të gjithë vendin, përfshirë 8 mijë në Paris, nga frika e trazirave të ngjashme me ato që ndodhën pas triumfit të klubit një vit më parë.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, i cilësoi incidentet si “absolutisht të papranueshme”, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për dëmet dhe për organizatorët e dhunës.


