Nga Martin Kiri/ Nga “Pesë për Besë” në “Vetë Për Besë”

Share

Në politikë ka momente që vlejnë më shumë se një mandat, më shumë se një post dhe më shumë se një karrierë. Janë ato momente kur një individ vendos të dalë nga hija e strukturave politike dhe të mbajë mbi supe peshën e plotë të vendimeve të veta. Një moment i tillë duket se është edhe vendimi i deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga Partia Socialiste dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.

Vetëm pak më shumë se një vit më parë, Koçeku ishte një nga figurat që mishëronte sloganin e fushatës “Pesë për Besë”. Ajo kërkoi votën e qytetarëve nën flamurin e Partisë Socialiste, si pjesë e ekipit që premtonte vazhdimësi, zhvillim dhe përfaqësim. Numri pesë ishte simboli i fletës së votimit, ndërsa “besa” ishte premtimi politik i bërë përpara qytetarëve.

Por sot, rrugët janë ndarë.

Largimi i Marjana Koçekut nga Partia Socialiste nuk është thjesht një lëvizje procedurale apo parlamentare. Ai është një akt me peshë simbolike, sepse shënon kalimin nga një identitet kolektiv politik drejt një përgjegjësie krejtësisht personale. Nga “Pesë për Besë” tek “Vetë Për Besë”.

Në një sistem politik ku deputetët shpesh perceptohen si ushtarë partie, të lidhur ngushtë me vendimmarrjen e strukturave qendrore, zgjedhja për të ecur e vetme është gjithmonë një sfidë. Nuk ka më mburojë partie, nuk ka më disiplinë grupi dhe nuk ka më komoditetin e vendimeve kolektive. Çdo votë, çdo qëndrim dhe çdo deklaratë mban vetëm një emër.

Sigurisht, vendimi i saj do të gjykohet ndryshe nga qytetarë të ndryshëm. Disa do të argumentojnë se mandati u fitua falë mbështetjes së Partisë Socialiste dhe se largimi përbën një shkëputje nga projekti politik për të cilin u kërkua vota. Të tjerë do ta shohin si një akt integriteti, si një përpjekje për të mbrojtur bindjet personale përtej kufijve të interesave partiake.

Sidoqoftë, një deputet që zgjedh pavarësinë duhet t’u shpjegojë qytetarëve me transparencë arsyet e vendimit të tij. Nuk mjafton të largohet; duhet të japë llogari. Duhet të tregojë se çfarë nuk funksionoi, cilat parime u shkelën dhe pse rruga e re është më e dobishme për ata që e votuan. Dhe pas hapit fillestar të ndërmarrë për largimin nga grupi parlamantar i Partisë Socialiste është pikërisht transparenca mbi vendimin e saj që Koçeku u detyrohet votouesve, edhe pse shumë mund të thonë që votuesit ishin të partisë dhe jo të saj duke qenë se Koçeku ishte në listën e mbyllur të Partisë Socialsite dhe si e tillë nuk u votua drejtpërdrejtë për emrin e saj.

Por përtej debatit politik, ajo që bie në sy është mesazhi që përcjell ky vendim. Marjana Koçeku po tregon se legjitimiteti i një deputeti nuk buron vetëm nga partia dhe po kërkon ta ndërtojë atë mbi raportin e drejtpërdrejtë me qytetarët.

Kjo është arsyeja pse simbolika e kalimit nga “Pesë për Besë” në “Vetë Për Besë” është kaq e fortë. Dikur pesë gishtat e dorës përfaqësonin forcën e grupit. Sot, e njëjta dorë simbolizon përgjegjësinë e një individi që zgjedh të ecë me forcat e veta.

Koha do të tregojë nëse ky vendim do të shpërblehet apo do të ndëshkohet politikisht. Por një gjë është e sigurt: nga ky moment e tutje, suksesi apo dështimi nuk do t’i atribuohet më Partisë Socialiste. Ai do të mbajë emrin e Marjana Koçekut.

Dhe pikërisht këtu fillon kuptimi i vërtetë i shprehjes “Vetë Për Besë”.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit