BE-ja u ka kërkuar qytetarëve të saj që të grumbullojnë sa të munden ushqime dhe furnizime jetike, të cilat do t’i mbanin të sigurt për të paktën 72 orë, nëse ndodh kriza e luftës.
Paralajmërimi është bërë nga Komisioni Europian. E kur dëgjon thirrje të tilla pyetja që të lind është: Po në vendin tonë çfarë masash sigurie mund të merren në rast rreziku. Sigurisht që mendja të shkon tek bunkerët, objektet e kudondodhura, pasojë e një projekti 10-vjeçar që filloi në ’75 dhe u mbyll në ’85. Rezultoi me ndërtimin e 174 mijë bunkerëve në të gjithë republikën e Shqipërisë.
“Mendoj që thirrjet janë në kuadër të një testimi dhe parapërgatitjeje të opinionit publik dhe qytetarëve për t’u përgatitur dhe institucioneve të çdo shteti për të marrë masa konkrete për çdo lloj situate, pandemi, tërmet. Por nuk duhet të harrojmë që dhe një luftë e mundshme mund të jetë afër dyerve të BE-së, kjo jo për të rritur nivelin e panikut, por për të treguar që duhet të jemi të gatshëm për të përballuar çdo lloj krize.
72 orë janë si një lloj kohe që nevojitet qoftë për institucionet, por qoftë për qytetarët, për t’u menaxhuar dhe për të ardhur ndihma të tjera nga vendet e paprekura, për të shpëtuar jetët njerëzore”, shprehet Faik Basha, ekspert për sigurinë.
Shqipëria çfarë masash duhet të marrë në këtë fillim përgatitjesh?
“Të gjitha institucionet përgjegjëse, duke filluar nga ekipet e emergjencave, nga ushtria, të fillojnë të bëjnë një plan strategjik për instruktimin e qytetarëve. Mendoj që shërbimi i detyruar ushtarak është një hap i marrë që do t’i vijë në ndihmë komunitetit dhe kjo do të ndihmojë në përballimin e emergjencave në mënyrë efikase, të shpejtë dhe me kosto më të ulët”, shprehet më tej ai.