“Taksa të ulëta dhe thirrje për investime të huaja është plani i PD-së për të ndaluar ikjen e shqiptarëve jashtë vendit”, deklaroi sot Kryetari i PD-së Lulzim Basha në përgjigje të Kryeministri Edi Rama në lidhje me largimin e shqiptarëve.
Basha shprehet në reagimin e tij se “ne kemi një plan pune: taksa më të ulëta, thithje të investimeve te huaja, mbështetje financiare për çdo të ri shqiptar që kthehet të punojë e të jetojë në Shqipëri”
“Edi, ti thua se ti nuk ke mënyrë si ta ndalësh emigrimin. Jam në një mendje me ty, ti nuk ke si ta ndalësh. Për 8 vjet me radhë ti jo vetëm ke dështuar në parandalimin e emigracionit, por prej keqqeverisjes tënde ai mbërriti rekorde prej qindra e mijëra shqiptarësh që braktisin vendin. Po ne e kemi një mënyrë. Ne kemi një plan pune: taksa më të ulëta, thithje të investimeve te huaja, mbështetje financiare për çdo të ri shqiptar që kthehet të punojë e të jetojë në Shqipëri, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mbështetje e stimulim te sipërmarrjeve të të rinjve”, thekson Basha.
Ai shton se “më 25 prill shqiptarët do të zgjedhin një qeverisje që do ta nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe do të na kthejë të rinjtë në atdhe. Shqipëria do të fitojë”.