Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në adresimin e tij para liderëve evropianë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, siguroi udhëheqësit për angazhimin e Amerikës ndaj aleatëve evropianë pas tensionimit të raporteve mes tyre në kohën e udhëheqjes së Donald Trumpit.
“Amerika është rikthyer, aleanca trans-Atlantike është rikthyer”, ka thënë Bideni. Ndërkaq, pa përmendur as një herë të vetme ish-presidentin Trump, Biden shtoi se “ne nuk po shikojmë prapa”.
Ai ka folur për angazhimin e SHBA-së për aleancën e NATO-s duke shprehur vendosmërinë për të, teksa premtoi se do të respektojë parimin e vendeve anëtare të NATO-s, që “një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve”.
“SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar në aleancën tonë të NATO-s. Një sulm ndaj një anëtari, është sulm ndaj të gjithëve; ky është zotimi ynë i palëkundur”, tha Biden, shkruajnë mediat amerikane.
Presidenti amerikan shtoi se ushtria amerikane po bënte një rishikim gjithëpërfshirës të angazhimit të saj në botë dhe se ai i ka hequr urdhrat për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, një vendim që e kishte marrë Trumpi.
Ai ka bërë thirrje për rivendosje të aleancës trans-Atlantike. “Demokracia nuk ndodh aksidentalisht”, tha ai. “Ne duhet ta mbrojmë atë”.
Ndërkaq, përmendi Kinën e Rusinë, për të cilat tha se duhet frenuar kërcënimet e paraqitura nga to duke i akuzuar se po përpiqen të minojnë demokracitë dhe dobësojnë NATO-n.
Ai akuzoi edhe Kinën për abuzime ekonomike, teksa shtoi se kompanitë e saj duhet të luajnë me të njëjtat rregulla si vendet amerikane e evropiane. Gjatë fjalimit të tij, Biden adresoi edhe një çështje. Ai tha se administrata e tij do të punojë me Evropën dhe partnerë të tjerë për të adresuar aktivitetet destabilizuese të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme.