Shifrat rekord të ditëve të fundit të Covid kanë detyruar Komitetin Teknik të Ekspertëve të vendosin kufizimin e lëvizjes nga ora 20:00 deri në orën 06:00.
Por pavarësisht këtij kufizimi, numri i infektimeve nuk ka ndryshuar, ndaj mjeku i Infektivit Pëllumb Pipero rekomandon që shkollat 9 vjeçare dhe ato të mesme të qëndrojnë mbyllur deri në fund të marsit.
Gjithashtu, Pipero kërkon që të reduktohet edhe orari i aktiviteteve të lokaleve dhe restoranteve, në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
“Deri nga fundit i marsit masat duhet të ishin më të shtrënguara, orari i kafeneve më i shkurtuar, të mos shërbehet në tavolina, por “delivery”. Shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të ishin mbyllur deri në fund të marsit. Edhe pse nuk është zgjidhje e problemit, është zgjedhje e detyruar për nga ritmet e pandemisë pasi nuk janë kështu vetëm në vendin tonë”, u shpreh Pëllumb Pipero për A2CNN.
Mjeku ngre alarmin se krahas rritjeve të infektimeve, janë shtuar shumë edhe humbjet e jetëve te moshat e reja.
“Kemi raste të shtuara të sëmundjes dhe forma të rënda dhe humbje të jetës dhe tek moshat e reja. I këshilloj të jenë të kujdesshëm që do të thotë të mbajnë maskë, distancë dhe higjienë. Edhe një lutje kam për ta, të frekuentojnë sa më pak, kafenetë dhe mjediset e mbyllura”, shtoi ai.