Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, sot në konferencë për shtyp kanë reaguar në lidhje me vendimin e djeshëm të gjykatës për rastin “Monstra”.
Sela dhe Gashi vendimin e Gjykatës Penale e cilësuan si skandaloz dhe kërkuan që Bashkimi Evropian, të sjell grup të gjykatësve dhe prokurorëve që të rihapin dhe gjykojnë këtë lëndë nga fillimi.
“Skandaloze është heshtja e atyre të cilët thirren në emër të legjitimitetit të shqiptarëve, të cilët e kanë vjedhur legjitimitetin e shqiptarëve dhe saherë që montohet një proces politik me muaj të tërë nuk idëgjoni të japin një deklaratë, nuk i dëgjoni që të japin një mendim. BDI nuk mund të strucet në këto momente se struci, e ka futur kokën në dhe duket askund”, tha Sela.
Ndërsa Gashi theksoi se gjyqësori akoma është nën udhëheqje nga pushteti.
“Është evidente se gjykata shëndërrohet në mjete të pushtetit. Deri në vitin 2016-17 ishin në shërbim të Nikolla Gruevskit e tash janë në shërbim të Zoran Zaevit. Herë gjykojnë sipas standardit të njërit e herë gjykojnë sipas standardit të tjetrit. Gjithçka që kërkojmë unë e Ziadini, Aleanca dhe Alternativa por edhe gjithë qytetarët e këtij vendi besoj, është drejtësia dhe e vërteta”, tha Gashi.
Ndryshe, në rigjykimin në rastin “Monstra”, tre nga të akuzuarit u dënuan me burg të përjetshëm, njëri me 15 dhe njëri me 9.