Këshilli i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri zhvilloi sot në Bruksel mbledhjen e 11-të të tij, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ishte në fokus të takimi të 11 mes krerëve të unionit dhe përfaqësuesve të Shqipërisë.
Po mbahet konferenca e përbashkët për mediet.
Ministri i Jashtëm i BE-së, Josep Borrel dhe komisioneri për zgjerimin e BE-së vunë theksin tek zgjedhjet e 25 prillit.
Josep Borell:“Në kontekstin në të cilin jemi pra zgjedhejt që do të ketë në Shqipëri më 25 Prill. Ne theksojmë nevojën që të gjithë të bëjmë të pamundurën që të sigurojnë që listat e kandidatëve të kenë njerëz me integritet. Kjo është kyçe për të treguar se vendi dëshiron që të luftojë korrupsionin dhe lufta kundër korrupsionit është një nga aspektet kyçe të Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe të një demokracie funksionale.
Sa i përket zgjedhjeve ne kemi një mesazh për të gjithë udhëheqësit politikë dhe për të gjitha partitë: Integrimi europian duhet të jetë një objektin i të gjithëve të cilët ju të gjithë e ndani dhe kërkohet angazhimi i të gjithëve për të patur dialog konstruktiv. Polarizimi i skajshëm nuk është shenjë e pjekurisë politike, nuk i shërben vendin pasi pengon ecurinë dhe progresin e vendit dhe nuk është në interesin e qytetarëve shqiptarë. Dhe në fund të fjalës time më lejoni të them që ne mezi prezim të organizojmë konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kuadrit negociues.”
Varhelyi: “Shprehëm shpresën që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme dhe do të kemi provën e parë të funksionimit të demokracisë shqiptare. Inkurajuam autoritetet shqiptare të mos ndalojnë së punuari edhe gjatë fushatës. Vazhdoni të ecni përpara pavarësisht zgjedhjeve.”
Në konferencën e përbashkët për mediat, komisioneri për zgjerimin e BE-së, Varhelyi deklaroi se: Gjithçka është përmbushur për konferencën e parë ndërqeveritare.
Në përgjigje ndaj Ramës ndaj pakënaqësisë së tij për sigurimin e vaksinave nga BE, Varhelyi u shpreh: Nuk kemi harruar Ballkanin perëndimor është përparësi. Do të ketë një shpërndarje të parë, nga Astra Zeneka në Shqipëria
Këshilli i Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri vlerëson reformën në drejtësi e kërkon dialog politik për 25 prillin
Këshilli rishikoi dhe vuri në dukje progresin në fushat e reformave duke përfshirë shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin.
Këshilli ka vlerësuar edhe përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit, teksa thekson se në një periudhë të tillë është shumë e rëndësishme dialogu konstruktiv mes të të gjitha palëve politike.
Takimi u drejtua nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Zëvendëspresidenti i Komisionit, Josep Borrell.
Delegacioni shqiptar drejtohej nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla dhe Kryenegociatori për Shqipërinë në BE, Zef Mazi.
Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Olivér Várhelyi, ishte gjithashtu i pranishëm duke përfaqësuar Komisionin Evropian.
Deklarata e përbashkët për shtyp pas takimit të 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit midis BE dhe Shqipërisë
Më 1 Mars 2021, në Bruksel, u zhvillua takimi i njëmbëdhjetë Këshilli i Stabilizim-Asociimit (Këshilli i SA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Këshilli i SA i njohu sfidat e jashtëzakonshme që Shqipërisë i është dashur të përballojë për shkak të tërmetit shkatërrues të 2019, të amplifikuara edhe me sfidat e shkaktuara nga pandemia e COVID-19. Në këtë kontekst, Këshilli i SA risolli në vëmendje mbështetjen e paprecedentë që BE i ka ofruar Shqipërisë dhe rajonit, me 1.15 miliardë euro të mobilizuara për rimëkëmbjen nga tërmeti dhe për zbutjen e pasojave të pandemisë.
Kjo e fundit përfshin mbështetje shëndetësore dhe ekonomike prej 3.3 miliardë € në total për rajonin, përfshirë 4 milion € për pajisje urgjente mjekësore për Shqipërinë, mbi 46 milion € për mbështetje socio-ekonomike dhe një kredi 180 milion € për asistencë makro-financiare. Përveç kësaj, Plani Ekonomik dhe i Investimeve për rajonin përmban një paketë të konsiderueshme investimesh deri në 9 miliardë € dhe garanci që synojnë të mobilizojnë deri në 20 miliardë € për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.
Këshilli i SA mirëpriti vendimin historik të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Mars 2020, për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Këshilli i SA njohu pozitivisht Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2020, i cili vlerësoi se Shqipëria i rriti përpjekjet e saj dhe shënoi rezultate të mëtejshme, të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit. Këshilli i SA shprehu pritshmërinë për zhvillimin e konferencën e parë ndërqeveritare (IGC) sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të Kornizës Negociuese, dhe në përputhje me kushtet për mbajtjes së saj, siç përcaktohet në konkluzionet e Këshillit të 25 Marsit 2020.
Këshilli i SA rishikoi dhe vuri në dukje progresin në fushat e reformave duke përfshirë shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin, respektimin e të drejtave themelore, administratën publike, politikën ekonomike, arsimin dhe punësimin, ndërlidhshmërinë dhe axhendën e gjelbër. Këshilli i SA vlerësoi vendosmërinë e Shqipërisë në zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian. Një theks i veçantë u vu tek procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (“procesi i vetingut”) si edhe tek Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, që kanë rifilluar tashmë nga puna. Këshilli i SA vlerësoi pozitivisht se organet e reja të specializuara të Shqipërisë për të luftuar anti-korrupsionin dhe krimin e organizuar kanë filluar të veprojnë.
U diskutua gjithashtu përparimi në zbatimin e planit të veprimit të Task Forcës së Aksionit Financiar (FATF) për luftën kundër pastrimit të parave. Këshilli i SA theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të reformës, veçanërisht në lidhje me emërimet e gjyqtarëve dhe hetuesve, si dhe procedimin e vazhdueshëm të çështjeve në pritje dhe forcimin e mëtejshëm të historikut të zbatimit të ligjit. Këshilli i SA shënoi përparimin e bërë në përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë drejtim, Këshilli i SA ra dakord mbi nevojën për ndjekje të mëtejshme të të gjitha aspekteve që përfshihen në rekomandimet e OSBE / ODIHR, si dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
Dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës midis partive politike dhe bashkëpunimi në Parlamentin e Shqipërisë do të jenë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE. Këshilli i SA vuri në dukje se periudha kalimtare e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përfundoi në 31 Mars 2019 dhe se që nga 1 Prilli 2019 Shqipëria është e asociiuar plotësisht me BE. Këshilli i SA gjithashtu nënvizoi përafrimin e vazhdueshëm 100% të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke vlerësuar se kjo përcjell një sinjal të fortë të orientimit strategjik të Shqipërisë dhe angazhimit ndaj synimit të saj për anëtarësim në BE dhe shërben si një shembull pozitiv për të gjithë rajonin./Ora News/






