Miliarderi japonez, Yusaku Maezawa, po kërkon tetë persona që t’i bashkohen për një udhëtim për në Hënë me raketën “SpaceX” të amerikanit Elon Musk.
“Dëshiroj që të më bashkohen njerëz nga të gjitha fushat”, tha miliarderi japonez, përderisa i bëri të ditura hollësitë e udhëtimit.
Ai tha se do t’i paguajë të gjitha shpenzimet e udhëtimit, prandaj ata që i bashkohen do të udhëtojnë falas, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Ky mision, i quajtur “dearMoon”, është planifikuar të realizohet në vitin 2023.
Ata që aplikojnë për këtë udhëtim duhet t’i plotësojnë dy kritere: duhet të përparojnë në çfarëdo fushe që veprojnë për “t’i ndihmuar njerëzit tjerë dhe shoqërinë e gjerë në ndonjë mënyrë” dhe që “kanë vullnet për t’i ndihmuar anëtarët e ekuipazhit që kanë aspirata të ngjashme”.
“I kam blerë të gjitha ulëset, prandaj ky do të jetë udhëtim privat”, tha Yusaku. Vitin e kaluar, ai bëri kërkime edhe për një të dashur që t’i bashkohet në udhëtim, por e anuloi “konkursin”, sepse tha se kishte ndjenja të përziera.
Ky mision do të ishte udhëtimi i parë i njerëzve në Hënë që nga viti 1972.