Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), ka filluar një procedurë rishikimi ndaj vaksinës ruse, Sputnik V.
Rivlerësimi do të përfshijë të gjithë të dhënat e deritanishme mbi pacientët që e kanë marrë në Rusi, shumë vende të Amerikës Latine si dhe në disa vende evropiane.
EMA do të vlerësojë të dhënat për të vendosur nëse përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet.
Rishikimi do të vazhdojë derisa të ketë prova të mjaftueshme për aplikimin zyrtar të autorizimit.
EMA do të vlerësojë pajtueshmërinë e Sputnik V me standardet e zakonshme të Bashkimit Evropian (BE), për efektivitetin, sigurinë dhe cilësinë.
Revista kryesore mjekësore, The Lancet, ka njoftuar më herët se doza e Sputnik ishte 91.6 % efektive kundër rasteve simptomatike Covid-19, duke sfiduar skepticizmin ndërkombëtar.
Ky vendim vjen në një kohë që vendet e Bashkimit Evropian po kalojnë kriza në furnizimin me vaksina.
Shumë vende të saj janë përballur me kritika të shumta përsa i përket programit të vaksinimit. Ato janë krahasuar gjithmonë me vendet si Izraeli dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë siguruar dozat më të shumta të vaksinave.
Sipas shifrave të mbledhura nga Universiteti i Oksfordit vetëm 3% e popullsisë së BE-së janë vaksinuar deri tani.