Ngërçi për Presidentin e Kosovës, LVV tërhiqet nga gara dhe fton dy partitë e mëdha opozitare: Propozoni tre emra, kandidatët të jenë jo politikë

albnews
By
4 Min Read

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka ftuar dy partitë opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike që të propozojnë tre emra për president, duke ofruar të gjitha nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie dhe tërheqjen e kandidaturave të Glauk Konjufcës e Fatmire Mulhaxhës.

Në një deklaratë, LVV bën me dije se në mbledhjen e Kryesisë mbrëmjen e së premtes ka vendosur që të ndërmarrë “edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues”. Sipas partisë në pushtet, ky hap vjen për të shmangur një tjetër proces zgjedhor në Kosovë.

Thirrja e partisë në pushtet vjen teksa një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit mbaron të martën. LVV thekson se tre emrat duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.”, thekson LVV.

DEKLARATA E PLOTE:

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u diskutuan zhvillimet politike si dhe veprimet e qëndrimet e nevojshme në shërbim të interesit publik e shtetëror dhe të mirës së përgjithshme e të përbashkët.

Në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.

Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues.

Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.

Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.

Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës.

Share This Article