Presidenti i Republikës Ilir Meta përshëndet projekt-rezolutën e sotme të Këshillit të Jashtëm në Parlamentin Europian për Shqipërinë.
Kreu i shtetit falenderon dy grupet kryesore parlamentare për mbështetjen e qartë të së ardhmes europiane të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes përmbushjes së plotë të kushteve.
“Nuk ka negociata pa zgjedhje të lira dhe të ndershme! Nuk ka përparim pa u dënuar autorët e krimeve zgjedhore të dosjeve 339 dhe 184!“, shkruan Meta, raporton Ora News.
Në fund të reagimit, Meta lëshon edhe një paralajmërim sa i përket zgjedhjeve duke u shprehur se, vota e 25 Prillit do mbrohet me çdo kusht nga shqiptarët dhe nuk do të kursehet ndaj askujt që prek vullnetin plebishitar.
“Përshëndes Projekt-Rezolutën për Shqipërinë, që u miratua sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
I falënderoj të dy grupet e mëdha politike për mbështetjen e qartë të së ardhmes europiane të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes përmbushjes së plotë të kushteve.
Nuk ka negociata pa zgjedhje të lira dhe të ndershme!
Nuk ka përparim pa u dënuar autorët e krimeve zgjedhore të dosjeve 339 dhe 184!
Askush nuk do të amnistohet!
Votën e lirë të 25 prillit, shqiptarët do ta mbrojnë me çdo çmim dhe nuk do të kursehen ndaj askujt, që do të guxojë të tjetërsojë vullnetin plebishitar”, tha Meta.
Edhe gjatë ditës së sotme, në një takim me shoqërinë civile, presidenti Meta përsëriti se zgjedhjet e 25 Prillit janë një mundësi që Shqipëria të kthehet në shinat e shtetit ligjor dhe demokratik. Ndërsa nuk kurseu edhe paralajmërimet për ata që do të synojnë të shtrembërojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Kreu i Shtetit ftoi qytetarët që të votojnë kandidatët që kanë më shumë vlera qytetare.
“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të votojnë në listën e kandidatëve për deputet, personat më me vlera qytetare, më me integritet dhe më të përkushtuar ndaj komunitetit, që ata besojnë, për t’ju dhënë një mesazh në këtë mënyrë edhe kryetarëve të forcave politike”, tha Meta.