Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një lidhje live në Facebook, ka komunikuar me komentuesit e tij nga makina rrugës për në Kavajë.
Ai ka thënë se qeveria në 8 vite ka dështuar dhe këtij dështimi do t’i vijë fundi më 25 prill.
“Qeveria e korruptuar në 8 vite nuk ka mbajtur asnjë premtim me të cilat erdhi në pushtet.
Sot, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit Shqipëria ka një ekonomi të shkatërruar, e ka keq-menaxhuar pandeminë në mënyrën më të keqe të mundshme, ndërkohë që mijëra familje shqiptare janë zhytur në borxhe. Papunësia ka pllakosur kudo, dhe e vetmja shpresë, 75% e rinisë është larguar. Këto janë të gjitha rezultatet e dështimit të Edi Ramës të cilave ne së bashku do t’i japim fund më 25 prill.”
Basha gjithashtu ka thënë se ekonomia është problemi kryesor i shqiptarëve, pasi politikës i ka ikur fytyra njerëzore.
“Problemi numër 1 për Shqipërinë sot është ekonomia.
Si mund të funksionojë ekonomia, kur politika nuk ka një fytyrë njerëzore, kur politikës i ka ikur fytyra dhe ndjesia njerëzore. Institucionet që duhet të kujdesen për shqiptarët janë robëruar nga politika.
Ne do t’i kthejmë fytyrën njerëzore politikës, do të jetë një politikë normale, një politikë që kujdeset për njerëzit. Kjo do të thotë duke filluar nga fëmijët, do të ketë një bonus deri nën moshën 5 vjeç, për fëmijët tekstet shkollore do të jenë falas deri në fund të gjimnazit.”