Publikohet historia e panjohur e Zenel Shehut nga fshati Toç i Tepelenës, ku babai i tij, Beqiri, për vite me rradhë në periudhën e Monarkisë së Zogut, shërbeu si Babai i Teqes së Krahësit, e cila gjatë viteve të pushtimit Italian të vendit u bë një nga bazat kryesore të Luftës Antifashiste. Kjo pasi vetë Zeneli, ishte komandant i çetës së “Velikollit” dhe më vonë me krijimin e batalionit “Baba Abaz”, në Donie të Kalivaçit, u caktua komisar i atij batalioni, duke pasur si zëvëndës, Adil Çarçanin. Diskutimi i Zenelit në Kongresin e Përmetit që shkaktoi habi te të gjithë delegatët, pasi ai kundërshtoi vënien e yllit komunist me pesë cepa në flamurin shqiptar dhe reagimin e Enver Hoxhës që pyeti Omer Nishanin, se kush ishte ai kapadai që po fliste me atë gjuhë…?!
Mënjanimi i Zenelit gjatë periudhës së Luftës nga ana e udhëheqjes kryesore të Partisë Komuniste, të cilët nuk e zgjodhën as si kandidat për në zgjedhjet e para parlamentare të 2 dhjetorit të ’45-ës, nga ku Zeneli dha dorëheqjen si nënprefekt i Tepelenës dhe u kthye në fshatin e tij, duke u marrë me punët e familjes në bujqësi. Arrestimi dhe torturat në burgun e Kalasë së Gjirokastrës dhe dënimi me vdekje sw bashku me Baba Shefqetin, Syrja Vasjarin dhe At Gjergj Sulin, nga ana Gjykatës Ushtarake të kryesuar nga Bexhet Mema në ’48-ën, si dhe persekutimi i pjestarëve të familjes me burgje dhe internime, e cila nuk ka mundur të gjejë dot eshtrat e tij, që ndodhen edhe sot nën themelet e një ndërtese në Gjirokastër…!?
Vite të shkuara në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, diku nga fundi i viteve ’60-të, kur ndërtuesit gjirokastritë po punonin për të hapur themelet e hotelit të ri që po ngrihej në jug të qytetit të tyre, ata ndeshën në një varr masiv dhe pak metra më tutje në një varr të vetmuar! Kjo ngjarje, jo e zakontë për ato kohë, u përfol në të gjithë qytetin, duke kaluar gojë më gojë, deri sa dikush pohoi: “Po, ai varri i vetmuar atje, është i Zenel Beqir Shehut, kështu na u dha porosia, ai duhej të varrosej veçmas nga të tjerët…”! Atë mbrëmje të largët në qytetin e gurtë, dikush nga punëtorët në fshehtësi të plotë, i mblodhi eshtrat e gjetura në atë varr kolektiv dhe së bashku me ato të varrit të vetmuar, i grumbulloi të gjitha në një qoshe, duke i mbuluar me dhe, me shpresë se mbase një ditë, do të merrej dikush me to…?! Por s’ishte e thënë, pasi ato eshtra fatkeqësh edhe sot gjenden në atë vend, sepse sipër atyre, u ngrit një ndërtesë që sot shërben për klinikë dentare…!
Familja e njohur Shehu, në Toç të Tepelenës
Zenel Shehu, ishte djali i pestë i Beqir Shehut, babait të Teqesë së Toçit, në Krahës të Tepelenës që shërbeu për shumë vite aty si klerik bektashi në periudhën e Monarkisë së Zogut. Sheh Beqiri i njohur si njeri me shumë influence, jo vetëm në rrethet fetare, por në të gjithë Jugun e Shqipërisë, që në vitet e para të shekullit të kaluar, ishte i dënuar me vdekje nga xhonturqit, i akuzuar si përhapës i librave shqipe. Në vitin 1912, Sheh Beqiri, ishte pjesëmarrës si delegat i Tepelenës në shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë. Në vitin 1920, ai morri pjesë në Luftën e Vlorës ku dhe u plagos gjatë një beteje dhe aktivitetin e tij patriotic e vazhdoi më tej duke marrë pjesë gjithashtu edhe Kongresin e Lushnjes, ku ishte përsëri delegat i Tepelenës, së bashku me Arshi Shehun. Duke pasur një aktivitet të madh patriotik dhe si një nga njerëzit më të dëgjuar të asaj zone, Sheh Beqirit, i digjet shtëpia nga andartet greke. Në vitin 1924, ai rreshtohet përkrah forcave fanoliste si njeri shumë aktiv dhe në janarin e vitit 1925, dënohet me vdekje nga Gjykata Speciale, si pjesëmarrës në rrëzimin e qeverisë së Shefqet Vërlacit në qershorin e vitit 1924, dënim i cili ju fal nga Zogu, pas ndërhyrjes së një të afërmi të tij, që ishte deputet në Parlamentin Shqiptar dhe njeri me influencë në qarqet zogiste. Pas faljes së dënimit nga Zogu, Sheh Beqiri, nuk u përzie më në punët e politikës, por u mor vetëm me aktivitetin e tij fetar në Teqenë e Toçit, ku dhe vdiq në vitin 1940, duke u varrosur me nderime të mëdha nga gjithë popullsia e asaj zone dhe Jugut të Shqipërisë.
Zenel Shehu, në rrugën e të atit
Zeneli lindi në fshatin Toç në vitin 1918, ku dhe mori mësimet e para të fillores në Krahës, për të vazhduar më pas uniken në Tepelenë. Pas mbarimit të mësimeve në vendlindje, Zeneli, do të shkonte me bursë shtetërore në shkollën Tregtare të Vlorës, ku shquhej në mësime, por ai nuk mundi që të mbaronte dot studimet për arsye se ai u përjashtua nga shkolla, sepse goditi në orën e mësimit, mësuesin italian, sepse ai përçmoi flamurin shqiptar. Kjo ngjarje asokohe bëri bujë të madhe jo vetëm në shkollën Tregtare të Vlorës, po në të gjithë qytetin bregdetar. Për rikthimin e Zenelit në shkollë, pati disa ndërhyrje nga miqtë e babait të tij, deri tek Qazim Kaculi, por ajo gjë përsëri nuk u bë e mundur. Pas përjashtimit nga shkolla, Zeneli, thirret ushtar dhe dërgohet për kryerjen e shërbimit në zonën e Tropojës e Pukës. Në ato zona, Zenelin e gjeti edhe prilli i vitit 1939, ku ai ishte një ndër ata ushtarë që kërkoi të shkonte të luftonte në qytetin e Shkodrës, kundër forcave italiane që po vinin aty nga Lezha pasi kishin zbarkuar në Portin e Shëngjinit. Gjatë luftës italo-greke, Zeneli braktisi detyrën në repartin ku shërbente, pasi nuk pranonte të shkonte të luftonte në front, sipas detyrës që i ishte caktuar efektivit ku ai shërbente.
Organizator i Lëvizjes Antifashiste
Për refuzimit që Zeneli bëri për të shkuar në frontin e luftës italo-greke, ai u kthye në vendlindjen e tij në fshatin Toç të Tepelenës duke u bërë një nga nismëtarët dhe organizatorët e Lëvizjes Antifashiste në të gjithë zonën. Familja e Shehu, si një nga familjet më të pasura të asaj zone, u vu e gjitha në dispozicion të Lëvizjes Antifashiste dhe Teqeja e Toçit, që ishte pronë e asaj familje, u bë baza kryesore ku Zeneli kishte grumbulluar një sasi të madhe armësh e municionesh, që kishin mbetur nga lufta italo-greke, të cilat i shpërndau për çetën e tij partizane që e krijoi vetë dhe që e drejtonte si komandant i saj. Në vitin 1942, në krye të asaj çete, Zeneli kishte një ndikim të madh në komunat e Krahësit dhe Buzit, që u bënë zona të lira e kontrolloheshin prej tij. Bashkë me Zenelin, u lidhen me Lëvizjen Antifashiste duke marrë pjesë aktive në rradhët e saj edhe të katër vëllezërit e tij: Ismaili, Haxhiu, Skënderi dhe Mehmeti. Për merita të shumta që Zeneli kishte në organizimin e Lëvizjes Antifashiste, ai u caktua komandant i çetës së “Velikollit” dhe më vonë me krijimin e batalionit “Baba Abaz”, në Donie të Kalivaçit, u caktua komisar i atij batalioni, ku komandant ishte Baba Fejzo, kleriku bektashi që ishte një nga personalitetet e respektuara të asaj krahine. Në atë battalion, si zëvëndës i Zenel Shehut, u caktua Adil Çarçani, i cili që ishte me origjinë nga Fush-Bardha e Gjirokastrës. Lidhur me kontributin e madh të Zenel Shehut gjatë periudhës së Luftës, dy nga emrat e njohur të Lëvizjes Antifashiste të asaj kohe dhe më vonë figura të njohura në shtetin komunist, Kapo Kapaj dhe Gjylani Shehu, midis të tjerash kanë dëshmuar: “Ditën kur u krijua batalioni, Abaz Shehu,(“Hero i Popullit”), me cilësinë e antarit të Shtabit të Zonës së Parë Operative, Vlorë – Gjirokastër, me atë merakun e vet që t’i zgjidhte detyrat me një patriotizëm të pastër, paraqiti kuadrot që do të udhëhiqnin batalionin. ‘Baba Fejzo, patriot i flakët, fetar, anëtar i shtabit të zonës, do të jetë komandant batalioni’ tha ai dhe ne na e tregoi me dorë. E njihnim të gjithë, sepse ai çdo gjë ja kishte kushtuar fesë dhe çlirimit të vendit. Pastaj na prezantoi Zenel Shehun, komisarin e batalionit, ish-komandantin e komisarin e çetave të para të Tepelenës, udhëheqësi i mjaft luftimeve të zhvilluara deri atëhere në rreth, ku e gjithë familja e tyre u vu në shërbim të Luftës Antifashiste”.
Zeneli me njerëzit e tij, ‘gozhdojnë’ forcat italiane
Pas përpjekjeve me armë që Zeneli në krye të batalionit të tij bënë me kompaninë që ishte pararoja e italianëve, me 26 qershor të vitit 1943, ai u ndesh me një formacion të madh luftarak italian, që vinte nga Gjirokastra. Ato luftime zgjatën për gjashtë ditë dhe njihen si një nga betejat më të ashpëra në të gjithë Jugun e Shqipërisë. E gjithë baza ushqimore asaj lufte dhe municionet luftarake, vinin nga Teqeja e Toçit e familjes së Zenel Shehut, ku disa ditë pas asaj beteje, forcat italiane në shenjë hakmarje, ja dogjën shtëpitë Shehajve, pasi ata ishin protagonistë të asaj lufte. Në atë betejë, përveç forcave partizane, morrën pjesë në një shtab të përbashkët dhe forcat nacionaliste të “Ballit Kombëtar”, të komanduara nga Syrja Vasjari. Gjatë kohës që Zeneli ishte në mal, ai kishte me vete dhe familjen, pasi shtëpitë ja dogjën italianët, për hakmarrje. Gjatë asaj periudhe që ishte në mal, Zenelit i lindi dhe fëmija i tretë që ishte vajzë dhe partizanët ja vunë emrin, Liri. Disa kohë më vonë, me kërkesën e tij, Zeneli transferohet në zonën e Përmetit, duke u caktuar si Komandant Vendi, detyrë që ishte shumë më e ulët nga ajo ku ishte si Komisar Batalioni.
Në Kongresin e Përmetit, debaton ashpër me Enverin dhe Mugoshën
Edhe pse Zeneli ishte me detyrë në zonën e Përmetit, më 24 maj të vitit 1944, ai ishte i zgjedhur si delegat i Tepelenës për në Kongresin e Përmetit. Pas disa pakënaqësive dhe kontraditave që Zeneli kishte me kuadrot e tjerë të Luftës, në Kongresin e Përmetit, filloi “çarja e madhe” e tij, edhe me kuadrot kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, Enver Hoxhën dhe Dushan Mugoshën. Pas shumë diskutantëve që morrën fjalën në atë Kongres, i erdhi rradha edhe Zenel Shehut, i cili u shpreh para të gjithë të pranishmëve, duke thënë: “Shokë partizanë, ne morrëm armët e dolëm në mal e vumë në dispozicion të luftës pasurinë e jetën tonë e të familjes, për të hequr sëpatat e Liktorit nga flamuri ynë kombëtar, e jo për të vendosur në vend të tij simbolet sllave”. Pas fjalës së ashpër të Zenelit, që habiti të gjithë delegatët e pranishëm në atë sallë, Enveri pyeti Omer Nishanin, që kishte në krah të tij: “Kush është ky kapadai”?! Doktor Nishani, i tha se ai ishte Zenel Shehu dhe me shumë dashamirësi, i tregoi edhe për kontributin e madh që ai kishte dhënë deri në atë kohë në luftë në zonën e Tepelenës. Siç ka dëshmuar dhe Shefqet Peçi në vitin 1993, në pushim të asaj seance, pas fjalëve që tha Zeneli, atë e tërhoqi më një anë Tahir Kadare dhe i tha: “Çfar bën kështu o Zenel…, nuk luftohet kështu si ti, se të merr plumbi: o në ballë, o mbas koke, prandaj thirri mendjes”.
Fjalët e Tahir Kadaresë, që ja tha me dashamirësi, përveç Shefqet Peçit, i ka dëshmuar publikisht dhe Ihsan Budo, një nga eksponentët e Luftës Antifashiste, që ka qenë delegat në Kongresin e Përmetit dhe prezent në sallë, fare pranë Zenelit. Pas Kongresit të Përmetit, Zeneli tashmë i vënë ne “shënjestër” nga Enver Hoxha e Dushan Mugosha, refuzoi propozimin e tyre, për të shkuar me detyrën e komisarit të Brigadës së VI-të Sulmuese, në vend të shokut e mikut të tij të ngushtë, Mustafa Matohiti, që sapo ishte vrarë ato ditë. Shumë nga eksponentët të udhëheqjes partizane të asaj kohe, janë të mendimit se propozimi i Hoxhës për Zenelin në atë kohë për të shkuar në Brigadën e VI-të, që asokohe vepronte në zonat e Mallakastrës, ishte për t’a eleminuar atë fizikisht, siç kishte vepruar me disa të tjerë që u pushkatuan nga Mehmet Shehu me urdhër të Enver Hoxhës. Mbarimi i Luftës në nëntorin e ’44-ës, e gjeti Zenelin në funksionin e Komandantit të Vëndit në zonën e Përmetit dhe në atë kohë ai u kthye në Tepelenë, ku emërohet si nënprefekt i rrethit. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të nëntor-dhjetorit të vitit 1945, ai u propozua që të kandidonte si deputet për rrethin e Tepelenës, por ky propozim u hodh poshtë nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare në Tiranë, ku thuhet se vetë Enver Hoxha, i vuri vizë emrit të tij, madje me shumë inat, duke e grisur letrën me majën e penës dhe në vënd të tij, u caktua Kadri Baboçi.
1945, Zeneli jep dorëheqjen nga funksionet dhe kthehet në fshat
Pas refuzimit që Enver Hoxha i bëri Zenelit për të kandiduar si deputet i Tepelenës në zgjedhjet e dhjetorit 1945, ai ndjeu që rreth tij tashmë po kurdisej diçka. Në këto rrethana ai dha dorëheqjen nga posti i nënprefektit të rrethit dhe iku në vëndlindjen e tij, në Krahës të Tepelenës, ku filloi të merrej me punët e bujqësisë dhe administrimit të pasurisë së tij, aq sa kishte ngelur nga lufta. Gjatë asaj kohe, Zenelin e vizitoi fshehurazi në shtëpinë e tij një mik i ngushtë, emër i njohur i Lëvizjes Antifashiste në Zonën e Parë Operative; Vlorë – Gjirokastër, (emrin e tij Zeneli nuk e tregoi kurrë sa ishte gjallë), i cili në koefidencë, i tregoi se një nga arsyet e refuzimit të kandidaturës së tij nga ‘Qëndra’, për deputet, ishte fakti se në pushtetin lokal ku ai punonte, ishte shprehur hapur në prani të të gjithë kuadrove të zonës dhe atyre të deleguar nga Tirana, kundër reformave drastike dhe shtetëzimeve pa kriter që po bënte regjimi komunist, sidomos në Tepelenë. Nisur nga ky fakt, pak kohë përpara se Zeneli të dorëzonte detyrën si nënprefekt (në maj-qershor të 1945-ës), atë e provokuan, duke i përmëndur disa “gabime” të bëra gjatë Luftës, për mos pushkatimin e robërve italianë. Ato akuza ai kërkoi t’i sqaronte para Qarkorit të Gjirokastrës, për pozicionin e tij, por atje do të gjente vetëm heshtjen…?!
Shtator 1946, Zeneli arrestohet dhe burgoset në Gjirokastër
Në atë kohë, Zeneli e ndjente se diçka rreth tij po përgatitej dhe ashtu siç e kishte menduar, më 15 shtator të vitit 1946, ai largohet nga fshati i tij, (ku rrinte i vetmuar dhe i survejuar nga njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ishin dërguar enkas me shërbim nga Koci Xoxe), për të shkuar tek një miku i tij në qytetin e Tepelenës. Në atë moment, Zeneli, arrestohet nga Kryetari i Degës së Punëve të Brëndshme të atij qyteti, toger, Xhezo Makashi, i cili ishte i shoqëruar me dhjetra policë. Pas arrestimit të tij, sipas planit që ishte hartuar në Tiranë, do të vijonte një valë e dytë arrestimesh, mbi familjet me influencë të rrethit të Tepelenës, (që njiheshin si mbështetës të Zenel Shehut) si: Syrja Vasjari, Baba Shefqet Kashteni, At Gjergj Suli, Jashar Haliti, Misto Aleksi, etj. Të gjithë këta persona, pas arrestimit të tyre, do të izoloheshin në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, ku do t’i nënshtroheshin proçesit hetimor, deri në janarin e 1948-ës. Sipas disa dëshmive nga njerëz që asokohe vuanin dënimin apo mbaheshin të izoluar në Burgun e Kalasë dhe mundën që të dilnin gjallë prej andej, mbi ta do të ushtroheshin tortura ç’njerzore, me qëllim që ata të pranonin akuzat që u bëheshin se: ‘kishin sabotuar reformat shtetërore dhe se kishin rënë në kontakte me të arratisurit anti-komunistë që ishin agjentë të shteteve fqinje’, etj. Pas një proçesi të mundimshëm hetimor, Zenel Shehu doli në gjyq dhe Gjykata Ushtarake e Gjirokastërs, u detyrua ta lironte në sallë, pasi mbi të, Prokuroria nuk provoi dot asnjë akuzë! Gjatë zhvillimit të gjyqit, Zeneli do të debatonte ashpër me zv/ Prokurorin e Përgjithshëm, për torturat që ushtroheshin në birucat e Kalasë së Gjirokastrës. Pas lirimit të tij, ai u izolua në një dhomë me Gaqo Muzinën, por pas një muaji, ai arrestohet sërisht dhe mbahet në qelitë e Degës së Brëndshme të Gjirokastrës. Edhe atje ai i nënshtrohet torturave, për të pranuar akuza false rreth tij, por pasi nuk ju provua fajësia, në gjyqin e parë, atëherë disa ish-kolegë të tij, me urdhër nga “lart”, sajojnë disa akuza të rreme, sikur ai gjatë periudhës së Luftës, kishte liruar Ali Zanën, (një eksponent nacionalist nga Mallakastra) dhe se nuk kishte pranuar që të ekzekutonte robërit italianë në fshatin Vasjar! Kështu, në dokumentet arkivore të gjyqit të dytë, thuhet:
V e n d i m
Gjykata e Gjirokastrës, në datë 7.11.1947, e deklaron fajtor, Zenel Shehun, vjeç 29, të birin e Beqirit dhe Hysnies, ish eksponent i Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare, sepse së bashku me të pandehurit e tjerë, kanë sabotuar reformat e pushtetit popullor, kanë bërë agjitacion dhe propagandë kundër tij, kanë bashkëpunuar me elementë të arratisur dhe eksponentë të Ballit Kombëtar, kanë ndihmuar në organizimin e kryengritjes së Zhapokikës, kanë strehuar kriminelë të cilët pas kësaj kryengritjeje, i kanë dërguar në Greqi e Itali, kanë tentuar të sabotojnë zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, dhe në bazë të nenit të 4 të ligjit 372, datë 12.12.1947. e dënon atë me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të tij. Gjykata e Lartë me vendimin nr. 215 datë 8.1.1948, njofton se është vendosur aprovimi i këtij dënimi.
Kryetari i Gjykatës
Bexhet Mema
Lidhur me karakterin dhe personalitetin e Zenel Shehut, ka dëshmuar edhe shkrimtari dhe politikani i njohur, Sabri Godo (i cili e ka njohur atë nga afër), ku midis të tjerash është shprehur: “Ky njeri s’mund të pajtohej me metodat kriminale dhe terroriste të komunizmit. Zeneli ishte person me influencë dhe si i tillë, duhej likujduar. Në planin personal mund të them që ai, ishte një njeri trim dhe i besës. Ai kontriboi dhe sakrifikoi për Luftën Antifashiste. Kurse ata që e drejtonin këtë luftë, i sajuan atij një dosje të zezë dhe e dënuan për ‘tradhëti”. (Përveç ‘Plakut të urtë’ Godo, edhe shumë nga përfaqësuesit e Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Tepelenës, si: Gjylani Shehaj, Rebani Shehu, Kapo Kapaj, etj., pas viteve ’90-të, kanë dëshmuar rreth vlerave të tij si njeri). Në atë kohë, bashkë me Zenelin, u dënuan me vdekje dhe 12 pjestarë të tjerë të ashtuquajtur “Grupi i tij”. Por këto dënime, u zbatuan vetëm për Zenel Shehun, Baba Shefqetin, Syrja Vasjarin dhe At Gjergj Sulin, ndërsa të tjerët, u dënuan me burgime të rënda. Pushkatimi i tyre u bë më datën 14 janar të vitit 1948, në një vënd ku atë ditë ishin pushkatuar edhe të tjerë. (Ai varr i përbashkët, do të zbulohej vite më vonë, kur do të hapeshin themelet për ndërtimin e një hoteli).
Pas pushkatimit të Zenelit, familja në burgje dhe internime
Pas ekzekutimit të Zenel Shehut, filloi dhe kalvari i vuajtjeve dhe peripecive për familjen e tij. Pak kohë pas arrestimit të tij, arrestohet dhe vëllai i vogël, Mehmeti, i cili nuk ishte më shumë se 15 vjeç. Dënimi i tij me dy vjet burg dhe me sekuestrimin e pasurisë, u bë me motivacionin, se: “ai kishte shërbyer si korrier në grupin e Zenel Shehut”. Nëna e tij gjithashtu, u mbajt e izoluar në qelitë e hetuesisë, kurse vëllai tjetër i Zenelit, Ismaili, arrestohet dhe dënohet me pesë vjet burg. Pas daljes nga burgu, ai sëmuret rëndë dhe vdes pa marrë asnjë ndihmë mjeksore. Ndërkohë që ndodhnin këto me familjen e Zenel Shehut, (tashmë të pushkatuar), bashkëshortja dhe tre fëmijët, vijnë në Tiranë dhe strehohen tek familjarët e tyre. Vite më vonë, diku aty nga fillimi i vitit 1960-’61, (kur Tirana zyrtare për arsye nga më të ndryshmet, lejoi shumë nga pjestarët e familjeve “të deklasuara” të shkonin në shkollat e larta), djali i madh i Zenelit, Eqeremi, me shumë ndërhyrje dhe sakrifica të mëdha, mundi të ndiqte studimet deri në vitin e dytë të Fakultetit të Mjekësisë, sepse në vitin 1962, atë e përjashtuan nga fakulteti, pas një letre të ardhur nga Komiteti i Partisë së rrethit të Tepelenës, e cila ishte firmosur nga Rita Marko, që asokohe si sekretar i Komitetit Qëndror të PPSH-së, mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”. Motivacioni ishte: “Djali i armikut të Partisë dhe popullit”. Ndërsa vëllai i vogël i Zenelit, Mehmeti, arrestohet sërisht në vitin 1967 dhe dënohet me 22 vite burg, nga të cilat bëri afro 20 vjet. Sërish, motivacioni ishte i njëjtë, “Vëllai i armikut të popullit, Zenel Shehu”, i cili në vitet e Luftës Antifashiste, ishte një nga komandantët më të njohur të formacioneve partizane në rrethin e Tepelenës, por që ishte dënuar me vdekje nga shokët e tij të idealit. /Memorie.al/