Me një video prej më pak se katër minuta, Ambasada italiane në Kosovë e ka përshkruar si qytetin më magjik në botë, më elegantin, më kokëfortin, më të pabesueshmin dhe që të lë pa frymë.
Ky është qyteti i Venecias, që sot mbush 1.600 vjet nga krijimi i tij.
Venecia apo Venediku ndodhet në pjesën verilindore të Italisë. Është kryeqyteti i rajonit Veneto dhe i Provincës me të njëjtin emër, Venecia. Ka rreth 270 mijë banorë përfshinë edhe një lagunë të mbrojtur nga UNESCO.
Është i njohur për ngritjen e qytetit mbi ujë dhe vizitohet nga miliona vizitorë në vit.
Deri në vitin 1797, Venecia ishte Republikë dhe një nga fuqitë më të mëdha ekonomike në Evropë. Dominonte politikisht dhe kontrollonte tregun në Evropën Perëndimore përmes tregtimit të mallrave luksoze për kohën, si erëza, kripë e grurë.
Komuna përfshinë rreth 50 ishuj, ndërkohë brenda qytetit janë 175 kanale të gjerësive të ndryshme e me gjatësi totale prej 38 kilometrash. Ato përdoreshin për transportimin e mallrave, por tash kryesisht për turizëm.