Zv.kryetarja e Komitetit Këshillimor Kombëtar të Kanadasë për Imunizimin, dr. Shelley Deeks tha se është pezulluar aplikimi i vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 tek personat nën 55 vjeç
Kanadaja ka pezulluar aplikimin e vaksinës AstraZeneca tek personat nën 55 vjeç.
Zv.kryetarja e Komitetit Këshillimor Kombëtar të Kanadasë për Imunizimin (NACI), dr. Shelley Deeks tha se është pezulluar aplikimi i vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 tek personat nën 55 vjeç. Ajo theksoi se vendimi është marrë për shkak të “pasigurisë së konsiderueshme” në lidhje me rastet e trombocitopenisë (VIPIT) të shkaktuar nga vaksinat tek njerëzit me trombocite të ulëta.
Deeks tërhoqi vëmendjen se vendimi është marrë si “masë paraprake” në bazë të raporteve të ardhura nga Evropa lidhur me rastet që vaksina në fjalë ka shkaktuar mpiksje të gjakut të vërejtur shumë rrallë tek disa persona të vaksinuar, kryesisht tek gratë e reja.
Deri më tani janë përdorur 300 mijë doza të vaksinës AstraZeneca dhe se nuk është vërejtur ndonjë rast VIPIT.
Sipas hulumtimeve të kryera jashtë Evropës, VIPIT vërehet në masën 1 në më shumë se 125 mijë persona. Kjo normë në disa rajone njoftohet të jetë 1 në 1 milion.
Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Holanda, Irlanda, Norvegjia, Danimarka, Islanda, Rumania, Italia dhe Bullgaria në fillim të këtij muaji pezulluan përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca.
Përdorimi i vaksinës AstraZeneca u pezullua për masa paraprake në më shumë se 20 vende me dyshimin se shkakton mpiksjen e gjakut ndërkohë që Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) deklaroi se vaksina është e “sigurt dhe efektive”.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se dobitë e vaksinës AstraZeneca janë më shumë sesa dëmet. Ai u bëri thirrje vendeve që të përdorin vaksinën AstraZeneca.