Në një raport për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se në Kosovë, disa nga problemet më të rëndësishme në këtë aspekt përfshinin kufizimet e padrejta ndaj shtypit, ku hynin dhuna ose kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve; korrupsioni dhe mosndëshkimi në qeveri; sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose bashkësive të tjera.
Qeveria, thuhet në raport, ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarë që kryen abuzime të të drejtave të njeriut, por nganjëherë i mungonte vazhdimësia. Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media raportuan për raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose që vepronin pa u ndëshkuar. Shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të jenë në pozita në sektorin publik, thuhet në raport.
Përmbledhje e pjesës së raportit që flet për Kosovën
Politikanë dhe udhëheqës kryesorë të shoqërisë civile, veçanërisht organizatat e veteranëve, denoncuan publikisht Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (SPO) me bazë në Hagë si dhe u përpoqën për të minuar mbështetjen e publikut për punën e SPO dhe KSC.
Këto përpjekje përfshinin protesta publike, një kërkesë për peticion për të shfuqizuar gjykatën dhe një iniciativë legjislative të propozuar nga ish presidenti Hashim Thaçi që mund të kishte minuar mandatin e KSC.
Që nga shtatori, Komisioni qeveritar i Personave të Zhdukur renditi si të zhdukur 1,640 persona që u zhdukën gjatë konfliktit 1998-99 dhe dhunës politike që pasoi. Sipas ligjit, baza e të dhënave të personave të zhdukur të qeverisë nuk përfshin përkatësinë etnike të personave të zhdukur, përveç nëse raportohet vullnetarisht nga familja e tyre. Komisioni la të kuptohet se rreth 70 për qind ishin shqiptarë ndërsa 30 për qind ishin serbë, romë, ashkali, ballkano-egjiptianë, boshnjakë, goranë, malazezë dhe të tjerë.
Liria e shprehjes
Raporte të besueshme këmbëngulën se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet e financimit gjithashtu kërcënuan pavarësinë e medias. Gazetarët hasën vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike.
Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Sidoqoftë, pati raporte se zyrtarë qeveritarë, disa parti politike, biznese të lidhura me qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin presion pronarëve të medias, redaktorëve dhe reporterëve që të mos botonin materiale të caktuara. Disa gazetarë u tërhoqën nga raportimi kritik hulumtues për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës.
Disa gazetarët u ankuan se pronarët dhe menaxherët e medias i penguan ata të botonin ose transmetonin materiale kritike ndaj qeverisë, partive politike ose zyrtarëve të veçantë.
Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri
Zyrtarët nganjëherë u angazhuan me praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kontribuuan në këtë problem.
OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare aludojnë për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vërejtur se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan në padi. Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të shpallur fajtorë për korrupsion ishte shpesh i butë.
Në të paktën katër çështje korrupsioni të profilit të lartë, Gjykata e Lartë gjeti se gjykatat më të ulëta kishin shkelur kodin penal në favor të të pandehurve.
Përdhunimet dhe dhuna në familje
EULEX-i vuri në dukje se gjykatat shpesh zbatonin dënime më të lehta se minimumi ligjor në rastet e përdhunimit dhe se organet ligjzbatuese rrallë ndërmerrnin hapa për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitarët. Për më tepër, dënimet shpesh uleshin edhe më tej nga gjykata e apelit. Zyra e Prokurorisë për Ndihmën ndaj Viktimave raportoi një numër të rritur rastesh dhune në familje gjatë vitit, nga 946 raste në vitin 2019 në 1,145 raste që nga tetori. Dhuna seksuale dhe përdhunimi që ndodhin brenda ose jashtë familjes, rrallë u raportuan nga viktimat, shpesh për shkak të stigmës shoqërore ose mungesës së besimit tek autoritetet./VOA/