Xhudistja pejane e kishte marrë një ofertë të çuditshme vite më parë për të garuar në sportin e arteve të përziera marciale. Trajneri Driton Kuka ishte i vendosur ta refuzonte këtë ofertë.
Majlinda Kelmendi po e dominon xhudon botërore tash e sa vite.
Mirëpo, sportistja më e madhe e Kosovës e kishte marrë një propozim të veçantë dhe aspak të zakonshëm vite më parë.
Gjithçka ka zbuluar trajneri Driton Kuka, i cili në emisionin “Click” në RTV21 ka zbuluar se garuesja e tij kishte marrë ofertë për të luftuar në MMA, respektivisht në sportin e arteve të përziera marciale.
Kjo ofertë kishte ardhur menjëherë pasi xhudistja pejane e kishte fituar medaljen e artë në Olimpiadën e Rios në vitin 2016.
Mirëpo, Kuka ka treguar se kjo ofertë ishte refuzuar nga tabori i Majlindës.
Trajneri i suksesshëm, edhe pse është i vetëdijshëm se në oferta të tilla bëhet fjalë për miliona euro, këtë sport e konsideron si mjaft brutal dhe se nuk dëshiron që garuesit e tij, apo edhe fëmijët e tij, të merren me këtë sport të “egër” luftarak.
Kuka dëshiron të vazhdojë me xhudon, në sportin ku e ka bërë Kosovën një prej vendeve më të suksesshme në botë.