Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas deklaratës së fundit të Uran Ismailit, duke mohuar se ekziston ndonjë marrëveshje me PDK-në apo me ndonjë subjekt tjetër politik për bashkëqeverisje në Prishtinë.
Në një komunikatë të publikuar në Facebook, LDK ka thënë se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për arritjen e një marrëveshjeje të tillë.
“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, thuhet në reagim.
Partia ka theksuar se ka struktura dhe organe të veta vendimmarrëse, të cilat, sipas saj, nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse.
“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, thuhet më tej.
LDK ka shtuar se çdo marrëveshje që pretendohet se është arritur jashtë këtyre strukturave nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të partisë dhe, sipas saj, nuk krijon obligime politike për LDK-në.
“Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj”, thuhet në komunikatë.
Në reagim, LDK ka theksuar se marrëveshjet ndërpartiake me këtë parti, sipas saj, ndërtohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe vendimmarrjes institucionale.
“Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, thuhet më tej.
LDK ka bërë të ditur po ashtu se për çështjet lokale do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale, duke theksuar se aktualisht fokusi i saj është në procesin e ringritjes së brendshme.
“Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”, përfundon komunikata.
Telegrafi do të raportojë edhe për qëndrimet e subjekteve të tjera politike lidhur me këtë çështje.

