Bota e ka festuar Ditën e Tokës të enjten, më 22 prill, një ngjarje e përvitshme për ta përkrahur mbrojtjen e ambientit.
Këshilltari klimatik i NASA-s, Gavin Schmidt, ka thënë se pamjet e para të Tokës nga gjithësia, sikurse ato gjatë shkuarjes në Hënë më 1969 të “Apollo 11” ishin krejt ndryshe sesa tani”.
“Duke e parë ndërlikueshmërinë e sistemit të tokës dhe unikalitetin e tij në kozmos, deri më tani, ka qenë thellësisht e rëndësishme për shumë shkencëtarë që janë marrë me këtë gjë. Dhe ky këndvështrim shtesë do të thotë diçka…ndryshon këndvështrim tuaj në çdo mënyrë”.
Por kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk janë kujdesur për planetin për dekada radhazi që nga ajo kohë.
Pritet që në këtë vit të shtohet sasia e emetimeve të ngrohjes globale si pasojë e ringjalljes nga pandemia e koronavirusit dhe rifunksionimi i ekonomisë.
Energjia në tërë botën që lidhet me emetimet e dyoksidit të karbonit do të shkojnë deri në 1.5 miliardë tonë gjatë këtij viti, duke e pasuar mungesën e vitit të kaluar për shkak të pandemisë, sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, një grup ndërqeveritar me seli në Paris.
Kjo do të ishte rritja e dytë më e madhe vjetore e emetimeve që nga viti 2010, pas krizës globale financiare të viteve 2008-2009, ka raportuar Agjencia.
Schmidt ka paralajmëruar se ndryshimi klimatik po ndikon te uraganet, zjarret dhe nivelet e detit.
“Është duke u zgjeruar sezoni për uraganet për shkak se temperaturat në oqean dhe Oqeanin Atlantik janë më të larta për një kohë më të gjatë si pasojë e rritjes së gazeve serrë. Kështu që, teksa temperaturat po ngrihen, po shkrihet akulli në hapësirat malore, akullnajat po shkrihen dhe tërë ky ujë po përfundon në oqeane”.
Dita e parë e Tokës është krijuar nga senatori i ndjerë, Gaylord Nelson, nga Wisconsion, më 1970.
Kjo nxiti edhe lëvizjet ambientaliste që çuan deri te krijimi i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit dhe të shumë ligjeve për ta mbrojtur ujin, ajrin dhe botën e egër.
Dita e Tokës këtë vit është shënuar me takimin klimatik që u organizua nga presidenti amerikan Joe Biden.
Në krye me Bidenin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë rikthyer marrëveshjes klimatike të Parisit të vitit 2015.
Vendet pjesëmarrëse do të takohen në një konferencë të përvitshme klimatike të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në nëntor në Skoci, me qëllim që të punojnë për objektivat e caktuara.
Washingtoni dhe Bashkimi Evropian po synojnë që të arrijnë “neutralizimin e karbonit” nga mesi i shekullit 21.
Shkencëtarët kanë deklaruar se duhet të arrihet ky qëllim nëse duam që temperatura të mos rritet mbi 2 gradë celsius në vitin 2100.