Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet në Shqipëri.
Kurti ka thënë se Kosova nuk mundet pa Shqipërinë dhe as Shqipëria pa Kosovën. Ai ka thënë se uron që të rritet bashkëveprimi mes dy vendeve në të gjithë sektorët.
“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies. Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, ka shkruar Kurti në Facebook.