Ka shkuar në 50 numri i të vdekurve nga sulmi me bombë në një shkollë të vajzave në kryeqendrën e Afganistanit, Kabul, shumica prej të cilave janë nxënëse të moshës 11 deri 15 vjet, raporton Ministria e Brendshme e Afganistanit, transmeton agjencia AP.
Numri i të plagosurve nga sulmi i të shtunës është rritur në mbi 100.
Tri shpërthime ndodhën afër hyrjes së shkollës ndërsa nxënëset po dilnin nga shkolla, siç ka njoftuar Ministria.
Talebanët kanë mohuar përgjegjësinë në këtë sulm, duke e dënuar sulmin.
Shpërthimi i parë erdhi nga një veturë e mbushur me eksplozivë, pasuar nga dy të tjera, ndërsa nga Ministria e Brendshme është shtuar se numri i të vdekurve pritet të rritet.