Kevin De Bruyne beson se sezoni i Manchester Cityt do të gjykohet bazuar në rezultatin e finales së Ligës së Kampionëve që e luan të shtunën kundër Chelseat, pavarësisht se tashmë i ka fituar Premier Leaguen dhe League Cup.
Fitorja në Porto jo vetëm që do të plotësonte “tripletën” për futbollistët e trajnerit Pep Guardiola, por do t’i shtonte ambiciet e pronarëve të klubit për ta shndërruar Cityn në forcë të futbollit evropian. Kjo do të thotë se triumfi në Champions, që do të ishte i pari në histori të klubit nga “Etihad Stadium”, do të ndikonte shumë pozitivisht për Cityn.
“Ne si lojtarë e kuptojmë rëndësinë e kësaj finaleje të madhe”, tha mesfushori i Cityt, De Bruyne, në konferencën për shtyp të premten. “Nëse fiton je një hero, nëse humbet pothuajse je i dështuar. Jam i gatshëm për këtë”.
De Bruyne nuk ka fshehur se dëshiron për ta fituar Championsin, trofe që i mungon mesfushorit belg. Ai thotë se është i gatshëm ta ndihmojë ekipin për ta arritur këtë sukses, të cilin po e kërkon vazhdimisht në vitet e fundit.
“Pa dyshim që ka qenë një nga qëllimet e klubit dhe një nga synimet e lojtarëve tanë që të luajmë në këtë finale. Të jesh në skenën më të lartë në botë është më shumë se një privilegji”, ka pranuar De Bruyne. “Të gjithë e kuptojnë presionin e finales, por ne duhet ta shijojmë këtë lojë. Do ta marrim më shumë si një ndeshje ku dëshirojmë të tregojmë më të mirën nga vetja dhe ta shijojmë deri në pikën e fundit. Merreni atë si diçka ku dëshironi të performoni dhe tregoni më të mirën tuaj”.
Në pesë edicione me Guardiolan si trajner, City ka tre tituj kampioni në Premier League, por ka pasur zhgënjim të madh në Ligën e Kampionëve. Kampioni i Anglisë nuk kishte avancuar as përtej çerekfinales në katër sezonet e tij të para në krye të ekipit. Guardiola e ka fituar dy herë këtë trofe në tre vjetët e tij të parë si trajner i Barcelonës. Guardiola gjithashtu nuk arriti të fitonte Ligën e Kampionëve në tri sezone të mbushura me sukses të brendshëm te Bayern Munichu.
“Vitet e fundit e kemi krijuar identitetin tonë si një ekip që ka synime të mëdha, kurse me ardhjen e Guardiolas, fokusi kryesor ishte Liga e Kampionëve. Deri këtë edicion na mungoi fati, të cilin shpresoj se do ta kemi me vete në finale”, ka shtuar De Bruyne. “E kemi rastin ta mbyllim sezonin me trofeun më të lakmuar dhe më të çmuar të Evropës, por nuk do të jetë lehtë ta fitojmë. Përballë kemi Chelsean një ekip të fortë, por nëse tregohemi të kujdesshëm në momente të caktuara mund t’ia dalim”.
De Bruyne këtë edicion ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Cityt, me dhjetë gola e 18 asistime në 39 ndeshje në të gjitha garat.