Kryetari në detyrë i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot takim me demokratë në Kurbin dhe Tropojë.
Ai tha se “rrugën drejt ndryshimit e bëmë së bashku në një nga mënyrat më europiane, më qytetare, më të vërteta, edhe më të bukura që ka njohur pluralizmi në 30 vite. Bashkë do ta çojmë drejt fitores”.
“Nuk harrohet e nuk do të harrohet kurrë që është rezultati juaj i 25 prillit që spikat përkundër masakrës zgjedhore, spikat si kap për kurajon që i dha demokratëve, për kurajon që i dhatë votuesve tuaj, votuesve tanë këtu në Kurbin dhe për shkollën që keni ngritur këtu në Kurbin me anë të cilës jam i sigurt do të bëjmë të mundur që ta bëjmë Kurbin shumë shpejt gjithë Shqipërinë. Ndryshe për Shqipërinë sepse, jo sepse ishim në garë të pabarabartë, se atë e dinim prej fillimit, prej ditës se parë ne e dinim që do ishte një garë e pabarabartë. Edhe në momentin kur u firmos 5 qershori akoma pa e shkelur, prapëseprapë ju e dinit, unë jua thashë drejtpërdrejtë, jua thashë përmes medias që të firmosësh një marrëveshje me Edi Ramën apo të ndryshosh një ligj me Edi Ramën, s’ka pikë vlere, se ai edhe ligjin e vet e shkel, edhe ligjin e rënë dakord me ne do ta shkelë, dhe ashtu ndodhi. E ndryshoi edhe atë që ndryshoi, prapë e shkeli. Por ajo që Shqipëria përjetoi më 25 prill është arrest kardiak i demokracisë, sepse tjetërsimi i vullnetit të shqiptarëve nuk ndodhi në 1, 2, 3 apo 10 forma, por ndodhi në të gjithë format e mundshme. Dhe çdo ditë që kalon, në çdo qark që vizitoj, në çdo ekspozim që i bëhet fakteve del katalogu i plotë, i gjatë, i vjedhjes, blerjes, shantazhit, intimidimit, presionit të tre faktorëve”, tha Basha.
Basha shtoi se, “Partia Demokratike doli në këtë betejë, siç e dinë themeluesit dhe qëndrestarët mes jush, njësoj si në ’91, pa asnjë pushtet, por me pushtetin më të madh që Zoti mund t’i falë njeriut, me pushtetin moral, me pushtetin e zemrave, me pasionin dhe fuqinë për të ndihmuar njerëzit në aspiratën e tyre për ndryshim. Me shpresën e tyre se 25 prilli do t’i jepte fund jo thjesht lëngatës 8-vjeçare, por shumë prej pikëpyetjeve dhe dilemave që i mbanin akoma peng. 25 prilli solli në fakt një ndryshim, e solli këtë ndryshim anembanë Shqipërisë, falë kësaj fuqie që ne projektuam, u rritëm, u bëmë më të mëdhenj, por edhe pse beteja u luftua me energjinë më të madhe, prapëseprapë regjimi me një ngushticë më të vogël se gjysma e votave të pavlefshme, për shkak të heqjes së emrave pasi shkurtoi listat, tjetërsoi vullnetin e zgjedhësve. Megjithatë kurbinasit dhe jo vetëm, demokratët anembanë vendit e kanë sot kokën lart për një arsye: se në këtë betejë ne hymë me një kauzë morale dhe me këtë kauzë morale dhe vetëm me atë kauzë morale arritëm të tërheqim një numër të madh shqiptarësh të cilët shpërfillën blerjen e votës, shantazhin kriminal, shantazhin për bukën e gojës, shantazhin për vendin e punës, dhunën barbare që i trajton jo si të jenë kundërshtarë politikë, por si armiq, njësoj si në ’45-ën. Arritëm pra, përkundër të gjithave jo vetëm të ngrihemi në këmbë, por arritëm diçka që pak forca politike e kanë arritur në këto kushte”.
“Së pari, për qarkun e Kukësit në përgjithësi e për Tropojën në veçanti nuk mund t’i gjej fjalët e mirënjohjes për ato që keni bërë. Me këtë betejë që s’kishte asnjë lidhje me zgjedhjet demokratike. Sepse këtu, siç e dimë fare mirë, ka vite që revanshi i regjimit e ka kthyer atë që duhet të jetë përballje mes kundërshtarëve politikë në një hakmarrje të verbër primitive mbi ju, mbi familjet tuaja, mbi demokratët praktikisht pra, mbi shumicën dërrmuese të qytetarëve të këtij qarku e të kësaj bashkie. Por kundër kësaj me vlerat me të mira që kemi në zemër, me programin e zgjedhjeve më të qarta e të realizueshme që parashtruam para njerëzve pas vite konsultimi me ta e prekje të problemeve të tyre që kërkonin zgjidhje akute, pas besimit të patundur se në këtë betejë nuk ishim për karrigen time e për karriget tuaja por ishim për të ndryshuar fatin e tyre, të familjeve të tyre për të ndryshuar fatin e Shqipërisë. E bëtë këtë dhe kusht me uzurpimin të bashkisë drejt sjelljes shtazarake të uzurpatorit i cili më keq se në ’91-in, bënte presion të drejtpërdrejtë jo thjesht përmes instrumenteve të pushtetit vendor dhe instrumenteve të pushtetit qendror, por duke shantazhuar dhe intimiduar edhe ata që vinin në takimet e Partisë Demokratike apo kandidatëve tanë”, tha Basha gjatë takimit me demokratë të Tropojës.
Basha theskoi se, “siç e dini fare mirë, nën drejtimin tim dhe me vendimet e mia janë ndërmarrë disa prej akteve më të paprecedentë në 30 viteve pluralizëm. Por nuk janë ndërmarrë as për veten time dhe as për fatin tuaj, janë ndërmarrë për ta çliruar Shqipërinë nga ky regjim. Djegia e mandateve kishte një dhe vetëm një objektiv: zgjedhje të parakohshme dhe shembjen një orë e më parë të një parlamenti të dalë nga një tjetër palë zgjedhjesh ilegjitime siç ishin ato të 2017-ës. Sot është e lehtë të rishkruash historinë sepse siç e thotë populli “të mençur pas Kuvendit e trima pas lufte ka boll”, por ne duhet të kujtojmë e duhet të jemi të vetëdijshëm se pa këto beteja do të shkonim duke u zvarritur drejt 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasadave të regjimit dhe jo ballë për ballë regjimit dhe njësoj e bërë njësh me qytetarët, të cilëve ua kthyem bashkë me mandatet edhe besimin. Se edhe betejat ne do të luftojmë e do t’i çojmë deri në fund për ta dhe familjet e tyre. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër sepse njësoj si në ’91-shin njerëzit na ndoqën e na besuan”.
“Të gjitha arritjet e mëdha të këtij vendi kanë vulën tonë, kanë vulën tuaj, gjithçka, që nga rrëzimi i komunizmit dhe demokracia, që nga futja në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, statusi kandidat, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturorë kanë vulën e demokratëve, kanë vulën e Partisë Demokratike, kanë padiskutim vulën me nënshkrimin e Sali Berishës. Ndaj, le ta zhvillojmë këtë proces statutor që na e diktojnë rregullat e brendshme duke e konsideruar një vlerë të shtuar dhe një oportunitet, një mundësi, por po kështu të mos harrojmë se beteja e vërtetë është me kundërshtarin, me armikun më të egër të demokracisë dhe të shqiptarëve, me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit dhe kriminelëve me të cilët ka ndaluar përkohësisht aspiratën e Tropojës dhe të Shqipërisë për ndryshim”, përfundoi Basha.