Samiti i G7-tës ka arritur marrëveshje “historike” për taksimin e kompanive të cilat operojnë në nivel ndërkombëtar.
“Ky është një moment krenarie”, ka thënë sekretari i Thesarit i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak.
Ministrat e Financave në Samitin e G7-tës, që po zhvillohet në Londër, kanë rënë dakord që të angazhohen në parimin e një niveli minimal të taksës së korporatave prej 15%.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë si Amazoni, Google dhe Facebook mund të jenë në mesin e atyre që do të preken nga kjo marrëveshje.
Sunak ka thënë se “kjo nënkupton që kompanitë e caktuara do të paguajnë taksën e caktuar në vendin e caktuar”. Ai e ka quajtur këtë “një marrëveshje historike e cila më në fund e sjell sistemin global të taksave në shekullin 21”.
“Do të nivelizojmë fushën e lojës dhe do të injektojmë njëfarë drejtësie në sistemin e taksave”, ka thënë ai.
Shtetet e pasura ka vite që luftojnë për të arritur një marrëveshje për të rritur të hyrat nga kompanitë që operojnë globalisht siç janë: Google, Amazon dhe Facebook, e të cilat shpesh regjistrojnë fitime në juridiksione ku ata paguajnë pak ose aspak taksë.