Së paku tre persona u vranë dhe disa të tjerë u lënduan të shtunën në një kamp për personat e zhvendosur në veri të Irakut, ku ndodhen mijëra refugjatë kurdë nga Turqia, tha Rashad Kelani nga Unioni Patriotik i Kurdistanit.
Ky sulm ajror u krye vetëm tri ditë pasi presidenti turk, Rexhep Erdogan, e paralajmëroi Irakun se Turqia do ta “pastrojë” një kamp refugjatësh që, sipas tij, është bërë si parajsë për militantët kurdë, shkruan Reuters.
Një zyrtar irakian i sigurisë, i cili foli në kushte anonimiteti, konfirmoi se një sulm ajror ka lënë të vdekur e të lënduar në kamp, por nuk dha hollësi rreth këtij rasti.
Ndryshe, forcat turke i kanë shtuar sulmet ndaj bazave të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në veri të Irakut vitin e kaluar, duke i përqendruar sulmet në një rrip territori prej 30 kilometrash brenda Irakut.
Qeveria turke e cilëson Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit si organizatë terroriste. Si e tillë kjo parti vlerësohet edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.