Rezervuari Shimen në Taoyuan City përfaqëson një burim të rëndësishëm uji për Tajvanin verior. Por muajt e fundit është goditur me thatësinë e pashembullt, që ka shkaktuar rënien drastike të niveleve të ujit.
Thatësia konsiderohet si më e madhja në shekullin e fundit.
Ishulli nuk është goditur nga asnjë tajfun për një vit të tërë.
Si rrjedhojë, rezervuari është tharë pothuajse tërësisht, duke rezultuar me ndaljen e rrjedhës së ujit në rubinetet e disa rajoneve.
Për ta luftuar fenomenin e rrallë meteorologjik, punëtorët kanë hapur puse për ripërpunimin e ujit të përdorur.
Eksperti Peng Chi-ming e përshkruan thatësirën e fundit si fenomen që nuk është parë në Tajvan për më shumë se 100 vjet.
“Viti 2020 ishte i pari pa tajfune në Tajvan, pas plot një viti. Është ky një fenomen shumë i rrallë. Herën e fundit që ndodhi ishte më 1964. Pra, ka më shumë se 50 vjet prejse asnjë tajfun nuk e ka goditur Tajvanin për një vit të tërë. Tajfunet përfaqësojnë mbi gjysmën e reshjeve të të gjithë vitit në Tajvan. Pra, pa tajfun, presioni i vitit pasues do të jetë shumë i madh”, ka thënë ai.
Mungesa e reshjeve në pranverë ka ndikuar që të thahet edhe Liqeni i Hënës së Diellit.
Chiang Ming-liang, drejtor në Zyrën e Burimeve Ujore të Rajonit Verior, ka treguar se si ka rrjedhur procesi i hapjes së puseve për gjenerimin e ujit.
“Në të dy anët e lumit Touqian kemi hapur gjithsej 33 puse. Vitin e kaluar kemi hapur 17 puse, kurse sivjet edhe 16; do të thotë 33 gjithsej. Po shohim se cilësia e ujit është mjaft e mirë. Sasia është po ashtu e qëndrueshme. Cilësia dhe sasitë e tilla janë shumë të dobishme për rajonin Hsinchu”, ka thënë ai.
Në puset e hapura mund të nxirret ujë nga thellësitë prej 30 deri në 80 metra.
Përveç ujit të puseve, stacionet e pastrimit të ujit po sigurojnë ujë të filtruar falas për këdo që ka nevojë.