Përfaqësuesi i shoqatës për viktima civile dhe persona të zhdukur “Përkorë”, Latif Mehmeti, ka thënë se gjenocidi i Serbisë është bërë me bekimin e kishës serbe. Ai nëpërmjet një reagimi ka thënë se vetëm në Podujevë, Serbia ka vrarë 633 civilë shqiptarë dhe ka djegur 4 mijë e 481 shtëpi.
“Mizoria e ushtrisë e policisë serbe vazhdonte edhe gjatë tërheqjes së tyre nga Kosova, pas kapitullimit të Sllobodan Millosheviqit, njeriu që kreu gjenocid në shtetet e Ballkanit. Derisa forcat serbe po e lëshonin Kosovën më 19 prill 1999 për t’u mos u kthyer më kurrë, në qytetin e Podujevës nga mllefi i tyre kapitullues vranë tre civilë të pafajshëm, duke vulosur gjenocidin që kryen në mes të Evropës”, ka thënë Mehmeti.
“Vrisnin këdo që iu dilte përpara, digjnin shtëpi dhe plaçkitnin pronat e shqiptarëve. Përveç që ishin vrasës, ata i ngarkonin nëpër kamionë e traktorë edhe orenditë e shqiptarëve, që kur të shkonin në Serbi t’i paraqesin si trofe lufte. Aq gjenocidial ishte regjimi i Millosheviqit, saqë në Podujevë dogji 4 mijë e 481 shtëpi, ose çdo të tretën”.
Përfaqësuesi i Shoqatës “Përkorë” thotë se pos vrasjes së njerëzve dhe djegies së shtëpive, ushtria serbe po i vriste edhe kafshët shtëpiake të shqiptarëve.
“Shumë banorë kanë treguar se kur janë kthyer nëpër shtëpi pas çlirimit i kanë gjetur shtëpitë ende duke u tymuar, që tregon se zjarri iu kishe vënë para pak orëve. Për mundësinë e tyre gjenocidiale janë dëshmi edhe vrasja e kafshëve. Të gjitha bagëtitë që familjet i kishin për mbijetesë i kishin vjedhur ose i kishin larguar në territorin e Serbisë, derisa të tjerat i kishin vra. Strategjia e Serbisë ishte që të shkatërrohen çdo gjë në Kosovë, që të pamundësohet jeta”, thuhet tutje në reagim.
“633 civilë të pafajshëm janë ekzekutuar në komunën e Podujevës nga forcat serbe, të cilët po kryenin gjenocid me bekimin e kishës. Gjenocidi ishte institucional, i organizuar nga të gjitha strukturat. Nga 633 shqiptarë të vrarë, 85 ishin fëmijë, 114 i takonin gjinisë femërore, deri sa 85 konsideroheshin të zhdukur. Ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e 41 personave të zhdukur”.
Latif Mehmeti ka shtuar se shumë familjeve në Podujevë iu kishin vrarë më shumë se 1 anëtar i familjes, 36 familje me nga 2 të vrarë, 9 familje me nga 3, 4 familje me nga 5, 2 familje me nga 6, 1 familje me 7 dhe 1 familje me 8 anëtarë të vrarë.
“Sa i përket dëmeve materiale ato janë vlerësuar 376.918.135 euro. 22 vite kanë kaluar nga gjenocidi që kreu Serbia në Kosovës, pas 22 viteve nuk kemi asnjë iniciativë për padi ndaj Serbisë, përjashto tri raste individuale që kanë bërë civilët e pafajshëm. Por e kundërta ka ndodhur me Serbët, ata kanë ngritur mbi 330 padi ndaj shqiptarëve në Komunën e Podujevës. Pas 22 viteve nuk kemi të dhëna statistikore nga institucionet lokale dhe qendrore mbi krimet serbe”, ka theksuar Mehmeti.
“Institucionet e Republikës të Kosovës kanë dështuar në prezantimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por, gjenocidi që është kryer në Kosovë e Podujevë, nuk është vonë kurrë që të punohet për t’ia dëshmuar botës. Ashtu siç ka bërë Izraeli dhe vazhdon të bëj edhe sot, që ka prodhuar qindra e ndoshta mijëra filma e dokumentarë për gjenocidin që kanë kryer ndaj tyre nazistët”.