Sateliti ‘Albania 1’, i prezantuar disa vite më parë si pjesë e strategjisë për mbikëqyrjen satelitore të territorit, rezulton të jetë djegur në atmosferë më 29 janar 2026, duke përfunduar kështu misionin e tij.
Informacioni është bërë publik nga eksperti i teknologjisë Besmir Semanaj, i cili ka rikthyer debatin mbi ecurinë dhe menaxhimin e këtij projekti, duke theksuar mungesën e transparencës institucionale.
‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’ u hodhën në hapësirë më 3 janar 2023 nga Cape Canaveral në Florida, në kuadër të një marrëveshjeje rreth 6 milionë dollarë mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe kompanisë amerikane Satellogic USA Inc.
Në momentin e prezantimit, projekti u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të monitorimit të territorit, me synim evidentimin e ndërtimeve pa leje, kultivimit të kanabisit, zjarreve dhe problematikave të sigurisë mjedisore e kufitare.
Autoritetet kishin deklaruar se përdorimi i teknologjisë satelitore do të siguronte të dhëna në kohë reale për institucionet shqiptare, duke ndihmuar në vendimmarrje më efikase dhe në përmirësimin e politikave publike.
Megjithatë, sipas Semanajt, përfundimi i ciklit të ‘Albania 1’ nxjerr në pah mungesën e raportimit konkret mbi përfitimet reale të projektit dhe kostot e tij.
‘Deri sot nuk kemi një shifër të qartë se sa ka kushtuar realisht ky projekt. Thuhet 6 milionë dollarë, por në Shqipëri ‘thuhet’ dhe ‘është’ rrallë përputhen. Nuk kemi asnjë raport serioz me rezultate: sa ndërtime janë zbuluar falë këtyre satelitëve, sa parcela kanabisi, sa raste zjarresh janë menaxhuar ndryshe për shkak të tyre.
Dhe mbi të gjitha, nuk kemi një konfirmim zyrtar për diçka që tashmë është fakt: a do ta thotë qeveria hapur që Albania 1 nuk është më në orbitë?’, shkruan ai ndër të tjera.
Postimi i tij ka rikthyer vëmendjen publike te projekti i dy satelitëve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet do të japin një reagim zyrtar dhe një bilanc të detajuar mbi rezultatet dhe efektivitetin e tyre.

