Një “shpërthim i madh” është dëgjuar në Plymouth, ndërsa ekspertët për çaktivizimin e bombave po punonin për të neutralizuar një mjet shpërthyes të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.
Gazetarët në terren raportojnë se në ajër është parë tym, ndërsa alarmet e makinave janë aktivizuar menjëherë pas shpërthimit.
Një banore pranë Qendrës Komunitare Southway, Angela Kalwaites, tha: “Ishte një shpërthim shumë i fortë, nuk mund ta humbisje. Kur shikoj përtej barrierës, ka tym në ajër dhe alarmet e makinave po bien. Ishte shumë i zhurmshëm dhe na trembi të gjithëve.”
Evakuime dhe masa sigurie
Banorët që janë larguar nga shtëpitë brenda perimetrit të sigurisë dhe janë akomoduar përkohësisht do të kontaktohen drejtpërdrejt nga bashkia ose nga organizata Plymouth Community Homes.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se po punohet për të zgjatur rezervimet në hotele aty ku është e nevojshme.
Zona rreth rrugës Clittaford, pranë shkollës Oakwood, është mbyllur ndërsa operacioni vazhdon. Dronë të shumtë janë parë duke fluturuar vazhdimisht mbi zonë, ndërsa më herët skuadra e çaktivizimit përdori edhe një robot për t’iu afruar bombës.
Sipas informacioneve nga terreni, ekipet po shqyrtojnë mundësinë e djegies së kontrolluar të fitilit për të neutralizuar pajisjen shpërthyese.
Operacioni vijon
Këshilli i qytetit njofton se operacioni për ta bërë të sigurt bombën e pashpërthyer në Southway pritet të zgjasë “deri në orët e pasdites” dhe u bën thirrje banorëve të mos kthehen ende në zonë.
Autoritetet do të japin njoftim zyrtar sapo operacioni të përfundojë dhe zona të konsiderohet e sigurt.
Mbi 340 banorë të prekur
Shoqata e banesave Plymouth Community Homes thotë se është përfshirë intensivisht në operacion, duke mbështetur mbi 340 banorë brenda perimetrit 400 metra nga vendi i rrezikut.
Ekipet kanë ofruar ndihmë të vazhdueshme, përfshirë gjatë natës, në Qendrën Komunitare Southway, ndërsa mbi 47 persona janë akomoduar në hotele ose Airbnb.
“Ka pasur komunikim të vazhdueshëm përmes mesazheve dhe takimeve direkte. Gjithashtu kemi ofruar pagesa për të gjithë banorët e evakuuar për të mbuluar ushqimin dhe kostot urgjente, si dhe kupona ushqimi dhe ndihma të tjera,” thuhet në deklaratë.
Banorët: “Janë heronj”
Një nënë, e cila u largua nga shtëpia me tre fëmijët dhe qenin në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, tha se ndihet “paksa nervoze, por shpreson që gjithçka do të shkojë mirë”.
Duke folur për ekipet në terren, veçanërisht specialistët e çaktivizimit të bombave, Emma Partridge u shpreh: “Respekt maksimal për ta, janë njerëz të jashtëzakonshëm. Janë vërtet heronj, sepse çfarë do të bënim pa ta?”

